I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, ish-ambasadori Agim Nesho komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Nesho kritikoi kryeministrin Rama për atë që e cilësoi si afrimitet dhe bashkëpunim të tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke u shprehur se në momente vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar, Rama po vijon me një retorikë që, sipas tij, nuk sjell asgjë konkrete.
“Rama, në momente decisive për të ardhmen e kombit vazhdon retorikën, duke kujtuar se do të impresionojë njerëzit pa thënë asgjë. Vuçiçi e ka thënë hapur: ‘Do të rikthejmë Jugosllavinë, pa Kroacinë, me Shqipërinë’. Pse them që e tepron me retorikën? Sepse ai është pjesë e një ekuacioni që, për të huajt, komuniteti ndërkombëtar shikon se ka një pjesë të shqiptarisë që ka një qëndrim ndryshe, që mund të bashkëpunojnë me serbët. Edhe vetë Vuçiçi tha se me Shqipërinë e kemi çdo gjë normale, ajo që nuk ecën është vetëm me Kosovën”, u shpreh Nesho.
Duke iu referuar takimeve të Ramës me Vuçiçin, ish-ambasadori tha se presidenti serb, sipas tij, ka kërkuar prej kohësh një situatë ku të dyja palët të dalin të favorizuara.
“Vuçiçi, që nga takimi me Ramën në Nish dhe në të gjitha të tjerat, ka thënë një gjë: ‘Do më jepni diçka’. Ne duam një situatë rishikimi, ku të dyja palët dalin win-win”, tha Nesho.
Në vijim, Nesho u shpreh se Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë diplomatikë dhe të mos mjaftohet vetëm me deklarata.
“Rama nuk duhet të bëjë llafe, por të bëjë atë që një pjesë e Parlamentit dhe opozitës bën, sepse ajo është një kartë për të qenë të barabartë në diplomaci, duhet të bëjë: një lobim dhe, po ashtu, krijimin e grupeve të presionit, pasi Shqipëria ende nuk ka një grup presioni që të mbrojë interesat e popullit shqiptar”, përfundoi Agim Nesho.
The post Nesho: Rama të bëjë hapa konkretë për mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar appeared first on Euronews Albania.
