Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po përballet me kritika në rritje për retorikën e tij ndaj Kosovës, në një kohë kur Beogradi po vazhdon të forcojë dhe modernizojë kapacitetet e tij ushtarake.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur shqetësimin se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk duhet parë thjesht si një proces modernizimi, por si pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike të Beogradit.
Në Konferencën e nëntë të Ambasadorëve të Kosovës, Kurti deklaroi se forcimi i ushtrisë serbe lidhet me synimet e Serbisë ndaj rajonit, veçanërisht ndaj Kosovës.
“Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, po një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike që lidhet drejtpërdrejt me synimet hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanti Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e këtij qëllimi”, tha Kurti.
Ndërkohë, mesazhet kërcënuese ndaj Kosovës vazhdojnë të shfaqen në hapësirën publike në Serbi. Së fundmi, në Peruçac, në zonën e Bajina Bashtës, është shfaqur një grafit me mbishkrimin: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Grafiti është vendosur në një mur përgjatë rrugës në drejtim të Mitrovacit, në Tarë, me shkronja të mëdha dhe në ngjyrat e flamurit serb. Sipas raportimeve të mediave lokale serbe, mbishkrimi është shfaqur më 9 gusht.
Data përkon me deklaratat e fundit të Aleksandër Vuçiçit, i cili ka folur për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe ka përmendur Ujmanin, një nga burimet kryesore të ujit për Kosovën.
Këto zhvillime kanë rikthyer shqetësimet në Prishtinë për retorikën politike të Beogradit dhe për mënyrën se si deklaratat e zyrtarëve serbë, së bashku me mesazhet nacionaliste në hapësirën publike, mund të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
The post Reagimi i Kurtit pas deklaratave të Vuçiçit: Serbia po zgjeron kapacitetet ushtarake me synime ndaj Kosovës appeared first on Euronews Albania.
