Administrata publike po përballet me vështirësi në rekrutimin e specialistëve të teknologjisë, ndërsa dhjetëra vende pune për ekspertë IT vijojnë të jenë vakante në institucione të ndryshme, përfshirë Kryeministrinë dhe ministritë.
Nga një vëzhgim në faqen e Agjencisë Shtetërore të Informacionit, rezultojnë edhe njoftime të përsëritura për pozicione të ndryshme, mes tyre edhe në sektorin e inteligjencës artificiale.
Sipas ekspertit të IT-së, Kushtrim Shala, konkurrenca për specialistët e teknologjisë nuk zhvillohet më vetëm mes sektorit publik dhe atij privat në Shqipëri, pasi tregu i punës është globalizuar dhe profesionistët shqiptarë po marrin oferta edhe nga kompani të huaja.
“Sot një i ri i certifikuar ka 3-4 oferta në tavolinë. Ka dy-tre kontrata dhe siguron të ardhura duke punuar hibrid.”
Shala thekson se specialistë nga Tirana tashmë punojnë për kompani në Amerikë, Azi dhe Europë, duke e bërë konkurrencën për burimet njerëzore një sfidë ndërkombëtare.
“Specialistët nga Tirana janë të punësuar nga kompani në Amerikë, Azi apo Europë. Është konkurrenca ndërkombëtare. Pasi Shqipëria është ende krah pune më i lirë. Dhe patjetër që administrata do të ketë vështirësi, pasi nuk ka këtë fleksibilitet.”
Edhe rritja e pagave në administratë nuk konsiderohet e mjaftueshme për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët e kualifikuar të teknologjisë.
Sipas ekspertit, përveç pagës, rëndësi ka e gjithë paketa e motivimit, përfshirë trajnimin e vazhdueshëm dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare.
“Paga nuk është elementi i vetëm, por ka të bëjë me paketën e motivimit. Trajnimi i vazhdueshëm, pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare.”
Kushtrim Shala e vë theksin jo vetëm te krijimi i mundësive për talentet e reja në tregun digjital, por edhe te investimi dhe zhvillimi i burimeve njerëzore që administrata ka aktualisht.
The post Qeveria pa specialistë IT, pagat dhe mungesa e fleksibilitetit largojnë ekspertët appeared first on GIJOTINA.
