Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dalë në mbrojtje presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke paralajmëruar organizatën më të madhe të futbollit në botë se do të bënte një “gabim të tmerrshëm” nëse do të shqyrtonte zëvendësimin e tij.
Në një postim të hënën në rrjetin e tij Truth Social, Trump e cilësoi Infantinon si “fantastik” dhe vlerësoi drejtimin e tij në krye të FIFA-s. Sipas presidentit amerikan, largimi i Infantinos do të ndikonte negativisht në suksesin dhe përfitueshmërinë e organizatës.
“FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për çfarëdo arsye, do të merrte në konsideratë zëvendësimin e Presidentit Gianni Infantino”, shkroi Trump.
Infantino është përballur së fundmi me presion në rritje pas dështimit të një plani për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave të lidhura me Kupën e Botës.
UEFA, CONCACAF dhe AFC e kundërshtuan planin përmes një letre të përbashkët, duke e cilësuar atë si një “shkelje themelore të besimit”. Konfederatat paralajmëruan se besimi cenohet kur një individ vendos interesat e tij mbi institucionet që i kanë dhënë autoritet.
FIFA kërkoi falje javën e kaluar për gabimet e bëra gjatë procesit dhe deklaroi se drejtuesit e lartë të organizatës kishin riafirmuar mbështetjen e tyre për presidencën e Infantinos.
Organizata konfirmoi gjithashtu se propozimi ishte tërhequr dhe se do të ndërmerrte masat e nevojshme për të mbrojtur integritetin, qeverisjen dhe reputacionin e FIFA-s
The post Trump mbron Infantinon: FIFA do të gabonte nëse do e zëvendësonte appeared first on Euronews Albania.
