Vuçiç kundërshton tërheqjen e KFOR-it nga ura mbi Ibër dhe përsërit pretendimet e Beogradit për Kosovën

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kundërshtuar paralajmërimin për tërheqjen e personelit të KFOR-it nga ura mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, duke përsëritur pretendimet e pabazuara të Beogradit dhe retorikën e njohur politike ndaj institucioneve të Kosovës.

Vuçiç ka deklaruar se për këtë çështje do të bisedojë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviç. Ai ka pretenduar se reagimi i Beogradit erdhi pasi, sipas tij, KFOR-i kishte planifikuar hapjen e urës mbi Ibër për qarkullim.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç tha të hënën se zhvillimet e fundit nuk janë të papritura për të, duke pretenduar se Kosova dhe pjesëtarë të bashkësisë ndërkombëtare do të vazhdojnë atë që ai e cilësoi si “lojën e tyre”.

“Ai (Mojsilloviç) sot, supozoj, ka biseduar me komandantin e KFOR-it për gjëra të tjera, sepse ata donin ta lëshonin në qarkullim urën mbi Ibër në Mitrovicë, ndaj për këtë pasoi ndërhyrja jonë se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet”, ka deklaruar Vuçiç.

Presidenti serb më pas ka përsëritur akuzat e vazhdueshme të Beogradit lidhur me gjendjen e komunitetit serb në Kosovë. Pa paraqitur prova për pretendimet e tij, Vuçiç ka akuzuar institucionet e Kosovës për maltretime, arrestime dhe dhunë ndaj serbëve.

“Ne jemi atje në një situatë jashtëzakonisht të vështirë: ata nuk merren me sigurinë e serbëve, serbët atje i maltretojnë, i rrahin, i arrestojnë çdo ditë, nuk u bëhet vonë fare për ta”, ka pretenduar ai.

Deklaratat e Vuçiçit vijnë në vazhdën e retorikës së përsëritur të zyrtarëve serbë, të cilët vazhdimisht i akuzojnë institucionet e Kosovës për shkelje ndaj komunitetit serb, ndërsa zhvillimet në veri të Kosovës i paraqesin përmes narrativës politike të Beogradit.

Vuçiç ka thënë se Beogradi duhet të jetë “i durueshëm, mjaft i mençur dhe përgjegjës”, duke shtuar se Serbia duhet të fokusohet në mbështetjen e serbëve në Kosovë.

Vuçiç rikthen edhe deklaratat për lumin Ibër

Presidenti serb ka folur edhe për deklaratat e tij të mëhershme lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, deklarata që kanë shkaktuar reagime në Kosovë dhe Shqipëri.

Vuçiç ka pretenduar se çështja e Ibrit është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa ka vënë në pikëpyetje përfshirjen e Shqipërisë në reagimet për këtë temë.

“Nuk e di çfarë lidhje ka kjo me Shqipërinë. Çfarë lidhje ka Ibri me Shqipërinë? Kjo është çështje e jona e brendshme”, ka deklaruar Vuçiç.

Në deklaratën e tij, ai nuk është ndalur te reagimet e mëhershme të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, i cili kishte akuzuar Tiranën për atë që e cilësoi si pretendime për “Shqipëri të Madhe”.

Deklaratat e Gjuriçit kishin nxitur reagime në Shqipëri. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, kishte deklaruar se territori dhe burimet e Kosovës nuk janë të Serbisë, duke theksuar gjithashtu se nuk ka nevojë për një “Shqipëri të Madhe” për të qëndruar në krah të Kosovës.

Ndërkohë, Vuçiç ka njoftuar se Serbia do të krijojë një grup punues për të shqyrtuar, sipas tij, problemet që ekzistojnë në zonën e Ribariqit dhe në pjesë të tjera të rrjedhës së lumit Ibër.

The post Vuçiç kundërshton tërheqjen e KFOR-it nga ura mbi Ibër dhe përsërit pretendimet e Beogradit për Kosovën appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: