Një person i dyshuar për veprën penale të “spiunazhit” është arrestuar sot nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Merdare.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i arrestuari, i identifikuar me inicialet F. S., është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.
Pas arrestimit, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes, autoritetet kanë sekuestruar 39 mijë e 500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme që konsiderohen relevante për rastin.
Prokuroria Speciale pritet që, brenda afatit ligjor, t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për rastin vijojnë, ndërsa Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të sigurisë mbeten të angazhuara në ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
The post Arrestohet për spiunazh një person në Kosovë, i bastiset banesa appeared first on Euronews Albania.
