Qyteti bregdetar i Burgasit në Bullgari do të jetë mikpritësi i edicionit të Eurovision Song Contest 2027. Konkursi do të zhvillohet në muajin maj, me dy gjysmëfinalet të planifikuara për 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja do të mbahet më 15 maj.
Marrëveshja zyrtare për organizimin e eventit u nënshkrua nga kryetari i Bashkisë së Burgasit, Dimitar Nikolov, dhe drejtoresha e përgjithshme e televizionit publik bullgar BNT, Milena Milotinova. “Burgasi është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Eurovision 2027”, deklaroi Milotinova, duke bërë të ditur se përgatitjet do të nisin menjëherë.
Kryebashkiaku Dimitar Nikolov u shpreh se organizimi i konkursit do të jetë një mundësi për të promovuar rajonin. “Do të prezantojmë bregdetin bullgar të Detit të Zi dhe zonën përreth Burgasit në mënyrën më tërheqëse dhe spektakolare të mundshme”, tha ai.
Sipas Nikolovit, konkursi do të zhvillohet në arenën më të re të qytetit. “Ajo ka kapacitet të madh dhe infrastrukturë që lejon vendosjen e pajisjeve të rënda teknike. Kjo fleksibilitet do të na ndihmojë të punojmë shpejt me ekipet e EBU-së për ta përgatitur ambientin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë siguruar mbi 155 mijë vende akomodimi për vizitorët, ndërsa vetëm pak minuta pas shpalljes së Burgasit si qytet mikpritës, çmimet e hoteleve nisën të rriteshin.
Milena Milotinova tha se përzgjedhja u bë pas një vlerësimi të detajuar ndërkombëtar. “Vlerësimi përfshiu të gjithë parametrat dhe kërkesat e vendosura nga Unioni Evropian i Transmetuesve për organizimin e Eurovisionit, dhe Burgasi ishte zgjedhja e padiskutueshme”, u shpreh ajo.
Në qendër të qytetit do të ngrihet edhe “Eurovision Village”, ndërsa do të shtohen fluturimet nga Sofja dhe janë zhvilluar bisedime paraprake me Aeroportin e Stambollit për të përballuar fluksin e pritshëm të vizitorëve.
Bullgaria fiton për herë të parë të drejtën për të organizuar Eurovisionin, pasi këngëtarja Dara triumfoi në edicionin e këtij viti të mbajtur në Vjenë.
Nga viti 2027 do të hyjnë në fuqi edhe rregulla të reja të miratuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve. Sipas tyre, vendi fitues nuk do ta ketë më automatikisht të drejtën të organizojë edicionin pasardhës nëse një konflikt i armatosur, një situatë e ndjeshme gjeopolitike ose rrethana të tjera përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e rajonit.
The post Burgasi në Bullgari zgjidhet qyteti mikpritës për Eurovision. Pas njoftimit rriten çmimet e hoteleve appeared first on Euronews Albania.
