Aleanca refuzon ftesën e Haxhiut për takim: Po e zvarrisni bllokadën deri në zgjedhje

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Aleanca ka refuzuar ftesën për takim të ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, me liderët e partive politike, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk po kërkojnë zgjidhje për krizën institucionale.

Në një letër drejtuar Haxhiut, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se ajo nuk ka mandat për të luajtur rolin e “unifikueses së spektrit politik”, pasi nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës.

“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini.

Sipas tij, qëllimi i LVV-së është që të zvarrisë krizën institucionale deri në një datë që i përshtatet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi”, ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se nëse LVV-ja vërtet i kërkon votat dhe kuorumin e Aleancës për zgjidhjen e krizës, i ka në dispozicion “gjashtë pikat e Aleancës”.

Gjashtë kërkesat e Aleancës janë që institucionet e reja të pranojnë projektin e gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr, të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, të lirojnë tokat e punuara nga tatimi në pronë, të buxhetojnë plotësisht rrugët për Gjilanin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Podujevën, si dhe të ndajnë 800 milionë deri në një miliard euro për investime infrastrukturore në Prishtinë.

Haxhiu u kishte dërguar të premten ftesë liderëve partiakë për një takim konsultativ që është planifikuar të mbahet më 18 gusht. Ajo ka thënë se qëllimi është diskutimi për zhvillimet politike dhe institucionale dhe arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Ndërkohë, Kurti ka kërkuar nga partitë politike që të nisin diskutimet me emra konkretë për presidentin e ardhshëm, duke thënë se kjo do të mundësonte shmangien e zgjedhjeve të reja.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.

Megjithatë, Aleanca dhe PDK-ja po kërkojnë që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht dhe u ndërpre për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Kriza institucionale është krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

LVV-ja fitoi 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.

Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

The post Aleanca refuzon ftesën e Haxhiut për takim: Po e zvarrisni bllokadën deri në zgjedhje appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: