Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka folur këtë të enjte në konferencën për shtyp, në prag të duelit ndaj Pafos, i vlefshëm për raundin “play-off” të Ligës së Konferencës.
Në prononcimin përpara gazetarëve, tekniku kryeqytetas u shpreh se një ndeshje futbolli gjithmonë ka vështirësi dhe se janë të pranishme të tria rezultatet.
“Besoj që në fushën tonë, edhe me përkrahjen e tifozëve, që në ndeshjen e kaluar i kishim akoma më të shumtë ndaj Auda-s, mund të bëjmë diçka që t’ua shpërblejmë edhe atyre që do të vijnë në stadium për të parë një ndeshje të bukur, pavarësisht se e dimë që niveli i vështirësisë është goxha i lartë.
Mungesa nuk kemi, por kemi një gjendje virale, së cilës as ne të stafit nuk i kemi shpëtuar. Besoj që nesër do të jenë të gjithë në dispozicion, pavarësisht se ndonjë lojtar mund të jetë me minutazh të limituar, për shkak të viruseve që qarkullojnë në këto ditë vere. Kemi edhe 2-3 lojtarë që kanë qenë me terapi për t’u riaftësuar. Nesër mund t’i menaxhojmë në një mënyrë sa më të mirë të jetë e mundur.
Nuk do të rrimë në fazën mbrojtëse, do të tentojmë të sulmojmë. Në fund fare, mbrojtja më e mirë është sulmi. Natyrshëm do të sulmojmë. Duhet të kemi shkallëzimet dhe ekuilibrat gjatë gjithë kohës. Pafos, përveçse ka një ekip që funksionon mirë në grup, ka edhe individë goxha të rrezikshëm, me cilësi goxha të mira, që në momente të caktuara mund të jenë edhe të rrezikshëm. Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë.
Një pjesë e mirë e grupit kanë qenë edhe vjet në të njëjtat nivele. Është kënaqësi të luash në “play-off”-in e Ligës së Konferencës. Ka shumë futbollistë që nuk e kanë provuar të qenit deri këtu.
Kur ke futbollistë me eksperiencë brenda grupit, nuk është problem i madh të ruash ekuilibrat psikologjikë që ka një ndeshje “play-off”-i.
Derisa kemi arritur në këtë nivel, besoj që e kemi merituar. Kemi pasur ndeshje të forta si me Astanën, me Audën apo me Aluminin. Na pret një ndeshje akoma më e vështirë me Pafos, që vitin e kaluar ishte në grupet e Champions-it. E dimë që koeficienti i ndeshjes është i nivelit të vështirë. Në fund do të tentojmë gjithçka për gjithçka, për të marrë maksimumin nga ndeshja e parë, pastaj t’i marrim ndeshjet një nga një”, deklaroi Daja.
The post Ilir Daja para sfidës ndaj Pafos: Do të kërkojmë fitoren, mbrojtja më e mirë është sulmi (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.
