Kosova në krizë politike/ PDK bllokon hyrjen e godinës së Qeverisë së Kosovës, protestës i bashkohet edhe Aleanca

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vijuar edhe të enjten aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjet në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Aksioni i kësaj të enjteje është mbështetur edhe nga deputetë të Aleancës, ndërsa në protestë kanë marrë pjesë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë.

PDK prej disa ditësh po zhvillon protesta dhe aksione para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që të thirret sa më shpejt vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit dhe të zhbllokohet procesi i krijimit të institucioneve të reja.

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje vazhdimisht kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të caktojë vazhdimin e saj. PDK ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mbajnë të bllokuara institucionet e vendit.

Nga ana tjetër, edhe Aleanca ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj zvarritjes së procesit të konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që Kosova të rikthehet sa më shpejt në funksionalitet të plotë institucional.

Ngërçi politik vijon prej kohësh, ndërsa Kuvendi i Kosovës ende nuk ka përfunduar procesin e konstituimit, duke penguar avancimin e mëtejshëm të krijimit të institucioneve të reja.

 

The post Kosova në krizë politike/ PDK bllokon hyrjen e godinës së Qeverisë së Kosovës, protestës i bashkohet edhe Aleanca appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: