Ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi, në një letër drejtuar liderëve politikë të Kosovës, ka bërë thirrje për konsensus rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, duke theksuar se vendi nuk mund të përballojë një tjetër cikël të bllokadave institucionale dhe zgjedhjeve të përsëritura.
DioGuardi, ish-kongresmen republikan në këtë letër drejtuar partive politive ka propozuar Faton Bislimin për president.
Telegrafi ka siguruar letrën e ish-kongresmenit DioGuardi, ndërsa thuhet se Kosova ka nevojë për një president, gjersa u bën thirrje liderëve politikë që emrin e Bislimit ta shqyrtojnë mbi bazën e meritave dhe jo të preferencave politike apo personale, raporton Telegrafi.
Letra e plotë të DioGuardit:
Apel për Konsensus dhe Propozim i një Kandidati për President
Po ju drejtohem me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe dashurie për një vend, lufta e të cilit për liri ka qenë një nga kauzat përcaktuese të jetës sime.
Për më shumë se tri dekada, kam qëndruar krah popullit të Kosovës. E kujtoj Kosovën e viteve 1990—shtypjen, vuajtjet dhe guximin e jashtëzakonshëm të një populli që refuzoi të hiqte dorë nga ëndrra e tij për liri. E kujtoj gjithashtu Kosovën që doli nga lufta, duke vendosur shpresë dhe besim të jashtëzakonshëm tek Shtetet e Bashkuara dhe bota demokratike.
Kjo histori mbart një përgjegjësi. Sot, Kosova gjendet sërish në një udhëkryq të rëndësishëm. Mospajtimet politike janë pjesë e demokracisë, por paraliza institucionale prek shumë më tepër sesa vetëm partitë politike. Ajo prek familjet, të rinjtë, bizneset, partnerët ndërkombëtarë dhe çdo qytetar që dëshiron ta shohë Kosovën duke ecur përpara. Vendi nuk mund ta përballojë edhe një cikël tjetër, në të cilin ngërçi politik çon në zgjedhje, zgjedhjet çojnë në një tjetër ngërç dhe cikli fillon sërish.
Populli i Kosovës meriton më mirë. Ai meriton institucione funksionale, liderë politikë të gatshëm t’i vendosin interesat e Republikës mbi përparësitë partiake, si dhe një President të aftë ta bashkojë vendin, e jo t’i thellojë ndarjet e tij.
Gjatë vizitës sime këtu, kam mësuar se liderët politikë të Kosovës kanë diskutuar për cilësitë dhe kriteret që duhet t’i përmbushë një kandidat konsensual për President. Sipas mendimit tim, Kosovës i duhet dikush që mund të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik; që mund të angazhohet me pushtetin dhe opozitën pa u bërë instrument i asnjërës palë; që mund t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës; dhe që mund ta përfaqësojë Republikën me kredibilitet dhe dinjitet në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera ndërkombëtare.
Është pikërisht në këtë frymë që ju kërkoj me respekt të merrni në konsideratë Faton Bislimin.
E njoh Fatonin prej më shumë se dy dekadash dhe kam përcjellë nga afër përkushtimin e tij ndaj Kosovës dhe zhvillimin e tij si shërbyes publik. Historia e tij është thellësisht e lidhur me rrugëtimin e vetë Kosovës. I formësuar nga lufta dhe zhvendosja, ai ndoqi arsimin në Amerikën e Veriut, përfshirë diplomimin në Harvard, fitoi njohuri të drejtpërdrejta mbi institucionet demokratike amerikane dhe shërbeu si deputet i Republikës së Kosovës. Ai ka vazhduar të punojë në sfera politike, akademike, qytetare dhe ndërkombëtare për ta forcuar Kosovën dhe marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Për punën e tij, ai ka fituar respektin e shumë njerëzve jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.
Por një President duhet të jetë më shumë se një biografi profesionale. Një President duhet të ketë karakter, pavarësi dhe gjykim të shëndoshë. Presidenca duhet t’i përkasë Republikës, jo një partie. Presidenti duhet të jetë në gjendje të dëgjojë pa hequr dorë nga parimet, të mos pajtohet pa krijuar armiq dhe të përfaqësojë qytetarë, zgjedhjet politike të të cilëve mund të jenë të ndryshme nga të tijat, dhe unë besoj se Fatoni i posedon këto cilësi.
Po ashtu, besoj se aftësia e tij për të ndërtuar ura është pikërisht ajo që Kosovës i nevojitet sot—ura ndërmjet gjeneratave, ndërmjet Kosovës dhe diasporës së saj, ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit, si dhe ndërmjet forcave politike që sot gjenden të ndara. Dhe Fatoni ka dëshmuar tashmë—për shumë vite—se është i aftë ta bëjë këtë, edhe kur nuk ka mbajtur asnjë detyrë zyrtare. Ta sjellësh Fatonin në detyrën e Presidentit nuk do të thotë ta nderosh atë, por t’i mundësosh Presidencës që t’i shërbejë popullit të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Të mos shfrytëzohet një mundësi e tillë do të thotë të mos përmbushet vetë premtimi që çdo përfaqësues i zgjedhur e ka bërë: t’i shërbejë interesit më të mirë të vendit.
Prandaj, kërkoj vetëm që, ndërsa liderët politikë kalojnë nga diskutimi i kritereve te shqyrtimi i emrave, emri i Faton Bislimit të vendoset në tavolinë dhe të vlerësohet mbi bazën e meritave të tij, e jo mbi bazën e preferencave politike apo personale të kujtdo qoftë.
Kosovës nuk i duhet edhe një President që bëhet trofeu në fund të një gare politike. Kosovës i duhet një President që mund të bëhet simbol i përfundimit të kësaj gare.
Populli i Kosovës tashmë ka dëshmuar guximin, qëndrueshmërinë dhe besimin e tij në demokraci. Tani liderët e tij politikë kanë mundësinë të dëshmojnë diçka po aq të rëndësishme: guximin për të bërë kompromis në të mirë të Republikës.
Besoj se Kosova ndodhet pikërisht në një moment të tillë. Për këtë arsye, ju kërkoj me respekt të merrni në konsideratë Faton Bislimin—jo si kandidat të një partie apo kampi politik, por si një kosovar me përvojën, karakterin, botekuptimin ndërkombëtar dhe pavarësinë e nevojshme për të shërbyer si President i Republikës së Kosovës në një moment kur vendi ka më së shumti nevojë për konsensus. Duke pasur parasysh arsimimin, përvojën, mprehtësinë politike dhe përkushtimin e tij ndaj vendit mbi çdo gjë tjetër, nuk mund të mendoj për askënd tjetër më të përgatitur për t’i shërbyer Kosovës si President.
Ndërsa zgjedhja përfundimtare do të jetë e juaja, unë besoj se Faton Bislimi është zgjedhja e duhur. Historia do ta gjykojë këtë brez të liderëve jo vetëm nga ajo se kë do të zgjedhin, por edhe nga fakti nëse do të jenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët atëherë kur Kosova ka më së shumti nevojë, duke i ofruar vendit një President për të gjithë, të aftë të shërbejë me dinjitet, integritet dhe etikë, dhe të gatshëm ta çojë vendin përpara që nga dita e parë e mandatit.
Letra e njëjtë i është dërguar katër partive më të mëdha, LVV, PDK, LDK dhe Aleancës.
The post Pas Walkerit, edhe ish-kongresmeni DioGuardi i shkruan liderëve partiakë dhe propozon Faton Bislimin për president appeared first on GIJOTINA.
