Vidhet në muzeun spanjoll, një nga koleksionet më të çmuara të Epokës së Bronzit në Evropë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një nga koleksionet më të rëndësishme të arit të Epokës së Bronzit në Evropë është grabitur nga Muzeu i Qytetit të Vilenës, në Alicante të Spanjës.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturin Thesari i Vilenës, një koleksion arkeologjik me vlerë të jashtëzakonshme historike, i cili daton rreth vitit 1000 para Krishtit. Lajmi për vjedhjen është konfirmuar nga burime bashkiake, ndërsa Garda Civile dhe policia gjyqësore kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Alarmi i muzeut u aktivizua rreth orës 05:16 të mëngjesit. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur përmasat e plota të grabitjes dhe nëse të gjitha objektet e koleksionit janë marrë.

Thesari përbëhet nga 59 objekte të punuara kryesisht në ar, por edhe në argjend, hekur dhe qelibar. Koleksioni përfshin 11 tasa, 28 byzylykë dhe tre shishe ari, krahas objekteve të tjera të çmuara.

Sipas Muzeut Arkeologjik Bashkiak të Vilenës, kërkimet e ekspertëve e rendisin këtë koleksion ndër grupet më të rëndësishme të enëve prej ari të Epokës së Bronzit, në të njëjtin nivel me thesaret e zbuluara në varret mbretërore të Mikenës në Greqi.

Si u zbulua thesari
Thesari u zbulua në vitin 1963 nga arkeologu José María Soler dhe bashkëpunëtorët e tij, pasi një objekt i parë i pazakontë ishte gjetur disa javë më herët.

Në tetor të atij viti, një byzylyk u gjet mes dheut të nxjerrë gjatë punimeve në Rambla del Panadero, në Sierra del Morron, pranë Vilenës. Në fillim, objekti nuk u konsiderua me vlerë dhe madje u dyshua se mund të ishte pjesë e një motori kamioni.

Kryepunëtori Ángel Tomás e la fillimisht byzylykun në vend, ndërsa më vonë ai përfundoi në duart e argjendarit vendas Carlos Miguel Esquembre. Ky i fundit ia tregoi objektin drejtorit të Muzeut Arkeologjik Bashkiak, José María Soler.

Soler nisi menjëherë hetimet dhe gërmimet në zonën ku ishte gjetur byzylyku. Më 1 dhjetor 1963, arkeologët zbuluan një depozitë me gjithsej 59 objekte, me një peshë të përgjithshme prej afro 10 kilogramësh.

Zbulimi u konsiderua një prej gjetjeve më të rëndësishme arkeologjike të Epokës së Bronzit në Evropë dhe thesari u bë një prej objekteve më të çmuara të Muzeut të Vilenës.

Tashmë, autoritetet spanjolle po hetojnë rrethanat e grabitjes dhe po punojnë për identifikimin e autorëve, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar se cilat prej objekteve të rralla janë marrë nga muzeu.

The post Vidhet në muzeun spanjoll, një nga koleksionet më të çmuara të Epokës së Bronzit në Evropë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: