Alarmi portokalli për stuhi vijon në 39 provinca të Francës, ndërsa reshjet e dendura, breshëri dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme dhe probleme në disa zona të vendit, përfshirë Parisin.
Shërbimet e trenave në linjat RER A, RER D dhe RER C janë pezulluar pasi pemët e rrëzuara kanë bllokuar shinat. Ndërkohë, përmbytje janë raportuar në disa qytete pranë kryeqytetit, përfshirë Antony dhe zona të Val-de-Marne, ku rrugët u mbuluan nga uji dhe pemët e rrëzuara penguan qarkullimin.
Në Chevilly-Larue, një person mbeti i plagosur në krah pasi u godit nga një degë e një peme të rrëzuar.
Situata ka shkaktuar dëme edhe në zona të tjera të Francës. Në Seine-et-Marne, erërat me shpejtësi deri në 142 km/h dëmtuan të mbjellat, ndërsa në Varetz, reshjet e rrëmbyeshme dhe një tornado dëmtuan disa automjete.
Në Creuzier-le-Vieux, pranë Vichy, u regjistrua gjithashtu breshër me diametër deri në 4 centimetra.
The post Stuhi dhe përmbytje të fuqishme në Francë, pezullohen shërbimet e trenave appeared first on Euronews Albania.
