UEFA nuk tërhiqet, sulm total kundër Infantinos: Reflekto dhe dorëhiqu

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

UEFA është e vendosur dhe nuk tërhiqet nga ideja e saj për të detyruar kreun e FIFA-s, Gianni Infantino, të dorëhiqet. Infantino prej një muaji është në qendër të kritikave pas planit të tij të pakonsultuar për të shitur te privati 20 përqind të të drejtave komerciale të turneve të FIFA-s, përfshi edhe Kupën e Botës.

Përfaqësues të Federatave Anëtare pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, anëtarët evropianë të Këshillit të FIFA-s dhe presidentët e federatave evropiane të pranishëm në Monaco, në kuadër të shorteve të kompeticioneve të klubeve të UEFA-s për sezonin 2026-27, kanë zhvilluar një takim ku kanë diskutuar krizën e vazhdueshme në FIFA.

Në takim u shqyrtuan pasojat e përpjekjes së presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur të drejtat komerciale të Kupës së Botës te investitorë të jashtëm privatë, përmes projektit FIFA Forward Enterprise (FFE), një nismë që, sipas përfaqësuesve të pranishëm, ekspozoi një dështim të thellë në gjykim, abuzim me pushtetin presidencial dhe një konceptim të lidershipit të papajtueshëm me përgjegjësitë e postit më të lartë në futbollin botëror.

Të pranishmit i kanë dhënë një mandat unanim presidentit dhe administratës së UEFA-s për të ndjekur çdo rrugë institucionale, politike dhe ligjore në dispozicion, me qëllim sigurimin e reformave themelore, rikthimin e kufijve të përshtatshëm të autoritetit presidencial dhe garantimin që FIFA të qeveriset sërish si një institucion dhe jo rreth një individi të vetëm.

Hapi i parë, sipas UEFA-s, duhet të jetë një rishikim i pavarur dhe i jashtëm i projektit FIFA Forward Enterprise, me akses të plotë në të gjitha dokumentet, komunikimet dhe të dhënat përkatëse të vendimmarrjes.

“FIFA nuk mund të hetojë veten dhe të presë që komuniteti i futbollit thjesht të pranojë përfundimet e saj”, thuhet në deklaratë.

UEFA thekson se pasojat e kësaj krize shkojnë përtej çështjes së qeverisjes. Besimi i nevojshëm për ushtrimin e detyrës së presidentit të FIFA-s është dëmtuar dhe nuk mund të rikthehet thjesht duke tërhequr një propozim, duke dhënë garanci apo duke premtuar reforma pas ngjarjeve.

“Futbolli botëror tani ka nevojë për një lidership të ri, të aftë për ta rindërtuar këtë besim”, thuhet në deklaratë.

UEFA tregon do të vijojë të punojë me konfederatat, federatat anëtare dhe komunitetin më të gjerë të futbollit, përfshirë tifozët, lojtarët, klubet, ligat dhe aktorë të tjerë, për të përcaktuar të ardhmen e FIFA-s.

Nëse presidenti aktual i FIFA-s do të kërkojë një mandat të ri, UEFA deklaron se do të bashkëpunojë me konfederatat partnere për t’u ofruar federatave anëtare një alternativë të besueshme, të angazhuar ndaj integritetit, llogaridhënies, zhvillimit dhe ndryshimeve reale institucionale.

Në deklaratë, UEFA ngre gjithashtu çështjen e rezervave financiare të FIFA-s, duke theksuar se organizata aktualisht disponon miliarda dollarë në rezerva.

“Këto para u përkasin shoqatave anëtare”, thekson UEFA, duke bërë me dije se, së bashku me konfederatat e tjera, do të shqyrtojë mundësinë e një përdorimi të përgjegjshëm të një pjese të rezervave të FIFA-s në të mirë të shoqatave anëtare, duke garantuar njëkohësisht stabilitetin financiar të organizatës.

Në këtë kontekst, UEFA ngre pyetjen se përse presidenti i FIFA-s besonte se kishte nevojë për investitorë të jashtëm për të zgjeruar fondet për zhvillim.

Përfaqësuesit u informuan gjithashtu se FIFA i ka konfirmuar me shkrim UEFA-s se projekti FIFA Foruard Enterprise është “tërhequr në mënyrë të pakthyeshme dhe të përhershme” dhe se ai “nuk do të shfaqet sërish në asnjë formë, strukturë, emër apo mënyrë tjetër”.

Pas marrjes së dy garancive që UEFA kishte kërkuar nga FIFA më 30 korrik dhe pas konsultimit me shoqatat e saj anëtare, UEFA ka rënë dakord të pezullojë përkohësisht vendimin për tërheqjen e skuadrave evropiane nga kompeticionet e FIFA-s gjatë sezonit të ardhshëm.

Kjo përfshin edhe Kupën e Botës për Femra U20, Kupën e Botës U17 dhe Kupën e Botës për Femra U17. UEFA thekson se ky qëndrim do të mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe mund të rishikohet menjëherë nëse rrethanat e kërkojnë.

Megjithatë, sipas UEFA-s, ndërsa çështja e menjëhershme e pjesëmarrjes është zgjidhur, kriza themelore nuk ka përfunduar.

“Tërheqja e FFE nuk e fshin mashtrimin, intimidimin dhe abuzimin me pushtetin që e bënë të mundur atë. As nuk rikthen besimin që është humbur”, thuhet në deklaratë. “Kompeticionet e FIFA-s nuk janë në shitje. As qeverisja e futbollit”.

UEFA nënvizon se çështja nuk duhet parë si një zgjedhje mes qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të futbollit dhe as si një përpjekje të Evropës për të kërkuar më shumë pushtet brenda FIFA-s.

Sipas saj, bëhet fjalë për garantimin që asnjë pjesë e futbollit botëror, e madhe apo e vogël, me më shumë apo më pak burime, të mos varet nga pushteti i një individi të vetëm.

“FIFA ka një përgjegjësi themelore për të mbështetur çdo shoqatë Anëtare dhe kjo përgjegjësi duhet të forcohet, jo të dobësohet. Zhvillimi është një detyrim institucional, jo një favor presidencial  dhe asnjë Shoqatë Anëtare nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes burimeve që i takojnë dhe lirisë për të ushtruar gjykimin e saj”, thekson UEFA.

Në përfundim të deklaratës, UEFA e bën të qartë qëndrimin e saj:

“Qëndrimi i UEFA-s mbetet i prerë, qoftë Kupa e Botës apo një turne U15, kompeticionet e FIFA-s nuk janë në shitje. As qeverisja e lojës sonë. Burimet e FIFA-s për zhvillim nuk duhet të bëhen kurrë instrumente të ndikimit personal apo politik. Ato i përkasin futbollit botëror dhe duhet të mbrohen përmes rregullave transparente dhe objektive.”

UEFA kërkon që FIFA të qeveriset sërish si një institucion në shërbim të futbollit dhe jo të funksionojë si një instrument i pushtetit individual.

The post UEFA nuk tërhiqet, sulm total kundër Infantinos: Reflekto dhe dorëhiqu appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: