Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë miratuar unanimisht Propozimin për ndryshimin e Kushtetutës së Malit të Zi, me të cilin, ndër të tjera, parashihet heqja e imunitetit për presidentin dhe anëtarët e Qeverisë për veprat penale kundër detyrës zyrtare, përfshirë veprat korruptive.
Për propozimin votuan të gjithë 66 deputetët e pranishëm, duke siguruar shumicën prej dy të tretash të nevojshme për nisjen e procedurës së ndryshimit të Kushtetutës.
Deputetët miratuan unanimisht edhe propozimin e Komisionit Kushtetues që brenda katër ditësh të përcaktohet teksti i draft-amendamenteve të Kushtetutës.
Sipas arsyetimit të propozimit, veprat penale kundër detyrës zyrtare, si keqpërdorimi i pozitës zyrtare, marrja dhe dhënia e ryshfetit dhe vepra të tjera të ngjashme, cenojnë drejtpërdrejt integritetin e pushtetit publik, besimin e qytetarëve në institucione dhe parimet themelore të rendit kushtetues.
Për këtë arsye, thuhet në propozim, është e nevojshme të përcaktohet qartë se për këto vepra penale nuk ekziston mbrojtja kushtetuese përmes imunitetit.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe deputeti i Forumit Shqiptar, Nikola Camaj, mbështeti zgjidhjet e propozuara, duke theksuar se funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për keqpërdorime.
“Nëse politikën e kuptojmë si luftë për interesin publik, atëherë do të punojmë që qytetarët të kenë më mirë. Përgjegjësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pavarësisht se cilin funksion e ushtrojnë”, tha Camaj.
The post Kuvendi i Malit të Zi heq imunitetin për zyrtarët e lartë në rastet e korrupsionit appeared first on Euronews Albania.
