Ministri irlandez: Varrimi shtetëror për Mlladiç ose pjesëmarrja e pushtetit në të, të papranueshme për BE-në

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Varrimi shtetëror për të dënuarin për krime lufte, Ratko Mlladiç ose pjesëmarrja e anëtarëve të Qeverisë së Serbisë në varrimin e tij janë të papranueshme për Bashkimin Evropian, ka paralajmëruar Thomas Byrne, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e bllokut evropian.

Ai konfirmoi se zyrtarët evropianë “po punojnë shumë në prapaskenë” lidhur me këtë çështje.

“Besoj se një varrim shtetëror do të ishte i papranueshëm. Sa kuptoj unë, në fakt nuk po organizohet një varrim shtetëror, por është krejt e mundshme që zyrtarë të lartë të pushtetit t’i bëjnë nderime atij personi. Pra, edhe kjo është e papranueshme”, deklaroi Byrne para takimit joformal të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Irlandë.

Ai i cilësoi zhvillimet gjatë viteve ’90 në rajonin e Ballkanit Perëndimor si “të neveritshme”.

“Por, mos kini asnjë dyshim, ajo që po ndodh atje, sipas mendimit tim, ende u shkakton dhimbje njerëzve, veçanërisht në atë rajon, por edhe në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, vlerësoi Byrne.

Aeroplani me trupin e pajetë Ratko Mlladiçit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, arriti të enjten, më 3 shtator, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Në aeroplan, përveç anëtarëve të familjes, ndodheshin edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiç, dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiçit.

The post Ministri irlandez: Varrimi shtetëror për Mlladiç ose pjesëmarrja e pushtetit në të, të papranueshme për BE-në appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: