I pafajshëm është deklaruar i akuzuari për spiunazh e shantazh, Fatmir Sheholli, në seancën fillestare që u mbajt të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“E ndiej veten të pafajshëm”, deklaroi shkurt Sheholli, pasi Prokuroria ia lexoi aktakuzën, shkruajnë mediat në Kosovë,
Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kodraliu tha se sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga një zyrtar i lartë i BIA-s.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si ‘BIA’), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiq, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli, ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë te ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas prokurorisë, në kuadër të këtyre aktiviteteve, i pandehuri dyshohet se ka zbatuar edhe një plan operativ që, sipas aktakuzës, synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025.
“Po ashtu i pandehuri, në kuadër të këtyre aktiviteteve, ka zbatuar në tërësi edhe një plan operativ konkret, të përgatitur nga i njëjti zyrtar i BIA-së, i cili synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më datë. 12.10.2025, në atë mënyrë që më datë 26.09.2025, rreth orës 14:00, i shoqëruar nga një anëtar i familjes së tij, dhe duke përdorur automjetin e markës ‘Audi’, ka udhëtuar për në Mitrovicën e Veriut, dhe në parkingun e Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë ‘Sindikata’, nga një person i paidentifikuar ka pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të destinuara për komprometimin e tyre, si dhe shumën prej 5,000.00 euro si shpërblimi për kryerjen e kësaj detyre, i cili pastaj në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë euro, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij ‘Pa Rrotlla’, dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale, çka përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës. Me këto veprime, i pandehuri Fatmir Sheholli, në vazhdimësi e ka kryer veprën penale ‘’Spiunazhi’’.
Në aktakuzë, Sheholli akuzohet edhe për veprën penale të shantazhit ndaj Arben Jetullahut, pronar i një biznesi në Kosovë.
Sipas prokurorit, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka kërkuar para nga i dëmtuari, duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që, sipas aktakuzës, do t’ia dëmtonin nderin, reputacionin dhe autoritetin.
The post Fatmir Sheholli deklarohet i pafajshëm, Prokuroria: Vepronte me urdhra të BIA-s appeared first on Euronews Albania.
