Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviç, njoftoi të hënën se pothuajse i gjithë personeli diplomatik i Ambasadës së Bosnjës në Serbi do të tërhiqet, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç.
Konakoviç tha se në Beograd mund të mbeten vetëm ambasadori dhe konsulli, pasi për emërimin dhe shkarkimin e tyre vendos Presidenca e Bosnjës, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të tërhiqet.
Sipas tij, shërbimet konsullore pritet të transferohen te ambasadat e Bosnje e Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë.
Ai e arsyetoi vendimin me zhvillimet në Serbi pas vdekjes së Mlladiçit, përfshirë varrimin, ceremoninë përkujtimore dhe mesazhet që janë shfaqur në publik.
“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj është të punoj që marrëdhëniet t’i zvogëloj në minimumin e mundshëm”, tha Konakoviç.
Ai tha se “nuk ishte befasuar” nga prania e zyrtarëve të Republikës Sërpska në varrimin e Mlladiçit në Beograd dhe paralajmëroi se do të kërkojë sanksione “në të gjitha adresat” ndaj individëve që morën pjesë në ceremoni, përfshirë anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviç.
Shefi i diplomacisë boshnjake tha se “alarmi i fundit” ishte mesazhi “Drejt Potoçarit”, i shfaqur në ndeshjen e Crvena Zvezdës, duke vlerësuar se ngjarje të tilla përbëjnë vazhdim të glorifikimit të krimeve të luftës dhe autorëve të tyre.
Gjatë derbit mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit më 6 shtator, tifozët në tribunën veriore të stadiumit “Rajko Mitiç” shfaqën një portret të madh të Mlladiçit me mbishkrimin: “Drejt Potoçarit”.
Portreti i tij qëndroi i ekspozuar në tribunën veriore gjatë gjithë ndeshjes.
The post Sarajeva tërheq stafin e Ambasadës nga Serbia pas varrimit të Mlladiçit me nderime shtetërore appeared first on Euronews Albania.
