Grabiten 4 vepra arti me vlerë 9 milionë euro në Muzeun Renoir në Francë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Dy persona kanë grabitur katër vepra arti nga Muzeu Renoir në Cagnes-sur-Mer, në Rivierën Franceze, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Njërën prej veprave, autorët e kanë braktisur gjatë arratisjes, pasi janë pikasur nga policia.

Sipas kryebashkiakut të qytetit, Brian Masson, hajdutët kanë hyrë me forcë në muze pak para orës 06:00. Ata janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë dhe janë ndjekur nga policia, por kanë arritur të largohen në këmbë.

“Pasi u identifikuan falë kamerave të mbikëqyrjes me video të qytetit, dy individët ikën me vrap, duke braktisur në përpjekje një nga pikturat që kishin vjedhur”, deklaroi Masson.

Alarmi i muzeut është aktivizuar në orën 05:48, ndërsa pesë minuta më vonë, policia bashkiake ka mbërritur në vendngjarje. Vlera e katër veprave të grabitura vlerësohet në rreth 9 milionë euro.

Kryebashkiaku e ka cilësuar grabitjen si një ngjarje të rëndë për qytetin, duke theksuar se muzeu përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë së Cagnes-sur-Mer.

Muzeu Renoir, i vendosur pranë Nicës, u krijua në vitin 1960 në rezidencën e fundit ku jetoi piktori i famshëm impresionist Pierre-Auguste Renoir (1841–1919). Përveç orendive origjinale, muzeu ruan objekte personale të artistit, mes tyre kavaletin dhe karrocën e tij me rrota, si dhe vepra që përfshijnë portrete, peizazhe dhe nudo.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po punohet për përcaktimin e plotë të veprave të grabitura dhe rrethanave të ngjarjes.

The post Grabiten 4 vepra arti me vlerë 9 milionë euro në Muzeun Renoir në Francë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: