Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, mund të përballet sërish me një votim për shkarkimin e tij. Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve, pas reagimeve që shkaktoi telegrami i ngushëllimit dërguar familjes së Ratko Mlladiçit.
Mandiç ishte mes politikanëve që shprehën publikisht ngushëllime pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Mlladiç ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, përfshirë atë të Srebrenicës, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Pavarësisht kritikave dhe reagimeve që pasuan, Mandiç nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij. Duke folur në Kuvend, ai deklaroi se ngushëllimet i kishte shprehur “në përputhje me zakonet” dhe se nuk shihte asgjë të diskutueshme në veprimin e tij.
Ky qëndrim nxiti DPS-në të ndërmarrë nismën për shkarkimin e tij. Kryetari i kësaj partie, Danijel Zhivkoviç, deklaroi se Mandiç “ka kaluar vijën e kuqe”, duke argumentuar se çështja tejkalon bindjet personale të tij për shkak të funksionit që mban në krye të parlamentit të një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Kur kryetari i Kuvendit të Malit të Zi shpreh ngushëllime për vdekjen e një personi të dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, nuk po flasim më vetëm për bindjet e tij private. Po flasim për dinjitetin e njeriut që përfaqëson Kuvendin e Malit të Zi”, tha Zhivkoviç.
Sipas kreut të DPS-së, integrimi në Bashkimin Europian nuk lidhet vetëm me miratimin e legjislacionit dhe plotësimin e kritereve teknike, por edhe me respektimin e vlerave europiane.
“Europa është, mbi të gjitha, një sistem vlerash. Nuk mund të flasësh në Bruksel për vlerat evropiane dhe të heshtësh në Podgoricë kur kryetari i Kuvendit i bën nderime një personi të dënuar për gjenocid”, u shpreh ai.
Duhen 41 vota për shkarkimin
Për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi nevojiten të paktën 41 vota.
Deri tani, rreth 25 deputetë kanë sinjalizuar mbështetje për nismën e DPS-së. Mes tyre janë deputetët e DPS-së, Aleancës Evropiane dhe Iniciativës Qytetare Kroate (HGI). Nismën pritet ta mbështesë edhe Lëvizja Qytetare URA, si dhe deputeti i pavarur Nikola Janoviç.
Qëndrimi i Partisë Boshnjake (BS) konsiderohet gjithashtu i rëndësishëm. Kreu i saj, Ervin Ibrahimoviç, ka deklaruar se vendimi përfundimtar do të merret nga organet drejtuese të partisë, ndërsa ka theksuar se BS nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kompromis me të vërtetën për gjenocidin në Srebrenicë.
Në rast se deputetët e kësaj partie votojnë në favor të shkarkimit, numri i votave pro do të arrinte në rreth 31. Megjithatë, edhe me mbështetjen e mundshme të disa deputetëve të komuniteteve të tjera, mund të mos sigurohen 41 votat e nevojshme.
Në këtë situatë, përcaktues mund të jetë qëndrimi i Lëvizjes Evropa Tani (PES), e cila ende nuk ka bërë të ditur se si do të votojë.
Ndërkohë, Forumi Shqiptar, pjesë e shumicës parlamentare, ka vendosur unanimisht që deputetët e tij të votojnë në favor të shkarkimit të Mandiçit, duke e lidhur vendimin pikërisht me qëndrimin e tij ndaj Ratko Mlladiçit.
Përpjekja e tretë për shkarkimin e Mandiçit
Kjo është hera e tretë gjatë mandatit aktual parlamentar që ndërmerret një nismë për largimin e Andrija Mandiçit nga drejtimi i Kuvendit.
Përpjekja e parë u bë në mars të vitit 2024, pas vizitës në Kuvend të Milorad Dodikut, në atë kohë president i entitetit Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Opozita kundërshtoi faktin që gjatë kësaj vizite në parlament nuk ishte vendosur flamuri zyrtar i Bosnje dhe Hercegovinës.
Në votimin që pasoi, 27 deputetë mbështetën shkarkimin e Mandiçit, ndërsa 44 votuan kundër, duke bërë që ai të qëndronte në detyrë.
Nisma e dytë u ndërmor në maj të vitit 2025 nga DPS-ja dhe Socialdemokratët, të cilët akuzuan Mandiçin se kishte cenuar integritetin e Kuvendit. Edhe kjo përpjekje nuk arriti të siguronte votat e nevojshme.
Çështja e fundit, përveç përplasjes së brendshme politike në Mal të Zi, ka edhe një dimension që lidhet me procesin e integrimit europian.
Mali i Zi është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa qëndrimet e institucioneve të vendit ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe çështjeve që lidhen me krimet e luftës shihen edhe në kontekstin e respektimit të vlerave europiane dhe marrëdhënieve të Podgoricës me Brukselin.
The post Ngushëlloi familjen e Ratko Mlladiçit, kërkohet shkarkimi e kreut të Kuvendit në Malit të Zi appeared first on GIJOTINA.
