Suedia voton për zgjedhjet e përgjithshme ditën e diel, në një proces që mund të bëjë që opozita e majtë të rrëzojë qeverinë pas një fushate të dominuar nga shqetësimet mbi kujdesin shëndetësor, mirëqenien sociale dhe sigurinë.
Sondazhet sugjerojnë pikërisht një fitore të opozitës së qendrës së majtë, të udhëhequr nga social-demokratët.
Por qendra e djathtë e kryeministrit Ulf Kristersson dhe aleatja e saj, partia anti-emigracion Demokratët Suedezë, kanë ngushtuar diferencën në javët e fundit të fushatës dhe sipas ekspertëve, në zgjedhje mund të ndodhë gjithçka.
“Ka ende pakëz suspancë, por për një kohë të gjatë sondazhet kanë treguar një udhëheqje shumë të fortë të së majtës dhe zakonisht është e vështirë të rikuperohet aq shumë terren”, ka deklaruar profesori i shkencave politike në Universitetin e Stokholmit, Jan Teorell.
Tre sondazhe të kryera gjatë javës së kaluar i jepnin katër partive të së majtës rreth 50 për qind të votave dhe atyre të së djathtës rreth 47 për qind.
Blloku i krahut të djathtë është zotuar se do të vazhdojë politikat e tij kundër krimit dhe emigracionit, pas sulmeve të shumta me armë zjarri dhe eksploziv të verifikuara në vitet e fundit, që i atribuohen rrjeteve kriminale. Por blloku ka dështuar të shfrytëzojë momentin që e çoi në pushtet katër vjet më parë.
“E djathta erdhi në pushtet duke u bazuar në një program për të gjunjëzuar krimin dhe ulur çmimet e energjisë. Edhe krimi edhe çmimet e naftës kanë rënë, ndaj këto çështje nuk kryesojnë më agjendat e votuesve”, ka thënë Teorell.
E majta nga ana e saj është zotuar se do të ngrejë taksat për bankat dhe rritjen e të ardhurave për të investuar në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor.
Një tjetër çështje është ajo e rritjes së kostos së banesave, në një kohë kur në vend po rritet pabarazia ekonomike.
The post Suedia voton, gara elektorale e dominuar nga mirëqenia dhe siguria appeared first on Euronews Albania.
