Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se varrimi i Ratko Mlladiçit ka shërbyer për shumë njerëz në rajon që “të tregojnë sa shumë e urrejnë Serbinë”.
Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, RTS, Vuçiçi provoi të zvogëlojë rolin e shtetit në organizimin e ceremonisë së varrimit të kriminelit të luftës, duke thënë se të huajt prisnin që ai të dërgohej në varreza qensh.
“Disa prisnin ta dërgonim në varreza qensh. Pamë një valë histerike sulmesh nga Sarajeva, Prishtina, Zagrebi dhe Podgorica. Të gjitha këto i prisnim. Asgjë nga kjo nuk është befasuese. Madje as ashpërsia e sulmeve dhe përdorimi i një gjuhe jo-diplomatike. Ne nuk duam të hyjmë në matricën e deklaratave histerike. E shihni që nuk jam prononcuar për dy ditë. Ajo që më shqetëson është se varrimi u shërbeu si alibi disa njerëzve në rajon për të treguar se sa shumë e urrejnë Serbinë”, ka thënë Vuçiçi.
Duke komentuar deklaratat e udhëheqësve të BE-së, Von der Leyen dhe Costa, ai tha se nuk ka asgjë të keqe për të thënë për ta, sepse “ata kanë mbajtur gjithmonë anën e Serbisë”.
“Unë nuk e kam të lehtë kur flas me të huajt për Kosovën, kur ju them pse na keni marrë një pjesë të territorit tonë. Që vetëm serbët duhet ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit, e shqiptarët jo. Ne nuk jemi budallenj. I keni parë, tashmë kanë një aleancë, Kroacia, Prishtina dhe Tirana. E bëjnë sepse janë më të dobët se ne”, ka thënë Vuçiçi.
The post Vuçiç: Varrimi i Mlladiçit tregoi urrejtjen ndaj Serbisë, prisnin që ta varrosnim si një qen appeared first on Euronews Albania.
