Gjyqi në Hagë ndaj Thaçit drejt fundit, nisin sot deklaratat përfundimtare

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për pengim të drejtësisë hyn sot në një nga fazat e fundit në Hagë, me nisjen e deklaratave përfundimtare.

Seanca është parashikuar të nisë në orën 09:30, ndërsa deklaratat përmbyllëse do të vijojnë edhe më 11 dhe 14 shtator.

Çështja lidhet me ngjarje që, sipas Prokurorisë, kanë ndodhur gjatë kohës kur Thaçi ndodhej në paraburgim. Akuza pretendon se, nga korriku deri në nëntor 2023, Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, Thaçi, së bashku me këta persona dhe të tjerë që nuk janë të akuzuar në këtë çështje, tentoi të ndikonte në dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Në të njëjtën dosje është i akuzuar edhe Hajredin Kuçi. Prokuroria pretendon se Thaçi u mor vesh me Kuçin që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në procesin për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pavarësisht një urdhri gjykate që kufizonte kontakte të tilla jashtë kushteve të përcaktuara.

Sipas akuzës, Kuçi dyshohet se kontaktoi, me nismën e tij, edhe një dëshmitar tjetër.

Thaçi përballet me 11 akuza. Tri prej tyre lidhen me tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, ndërsa tetë të tjera me shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen me nga dy akuza secili, ndërsa Kuçi me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Gjyqi nisi më 27 shkurt 2026. Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars, ndërsa ekipet e Mbrojtjes e mbyllën fazën e tyre deri më 30 korrik.

Aktualisht, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë të liruar me kusht. Kilaj u lirua në dhjetor 2025, ndërsa Smakaj dhe Fazliu në shkurt të këtij viti.

Me paraqitjen e deklaratave përfundimtare, procesi hyn në fazën përmbyllëse, përpara se trupi gjykues të procedojë më tej drejt marrjes së vendimit.

The post Gjyqi në Hagë ndaj Thaçit drejt fundit, nisin sot deklaratat përfundimtare appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: