Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ushtruesen e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Siç bëri të ditur PDK-ja përmes një njoftimi, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, nevojën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe institucional.
Hamza shprehu shqetësimin për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe për veprimet e partisë së parë, të cilat, sipas tij, kanë prodhuar shkelje kushtetuese dhe kanë thelluar krizën institucionale.
Kreu i PDK-së theksoi se bllokada duhet të marrë fund dhe se përgjegjësia për krijimin e institucioneve duhet të ushtrohet pa vonesa të tjera, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.
Hamza ritheksoi qëndrimin e PDK-së se vendi ka nevojë për një Kuvend funksional dhe rikthimin e rendit kushtetues e demokratik.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nevojën për koordinim të vazhdueshëm të Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë.
The post Hamza takon ushtruesen e detyrës së ambasadores së SHBA-së: Bllokada e institucioneve duhet të marrë fund appeared first on Euronews Albania.
