Në Prishtinë sot do të mbahet “Marshi për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Marshi pritet të nisë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në orën 14:00, por turma të njerëzve tashmë janë grumbulluar aty.
Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka njoftuar se transporti publik në Prishtinë do të jetë falas sot. Ndërsa, transport falas drejt kryeqytetit është organizuar edhe nga të gjitha qytetet e tjera të Kosovës për pjesëmarrësit në marsh.
Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.
The post Tri ditë nga verdikti i Gjykatës Speciale, Prishtina bëhet gati për ‘Marshin e Lirisë’, mbështetje për krerët e UÇK appeared first on Euronews Albania.
