Kimi Antonelli ka fituar edhe Çmimin e Madh të Spanjës në Madrid, duke marrë fitoren e tetë të sezonit dhe duke rritur ndjeshëm avantazhin në krye të kampionatit të Formula 1.
Piloti i Mercedesit triumfoi në garën e parë të zhvilluar në pistën e re Madring, përpara Max Verstappen dhe Lando Norris.
Antonelli e nisi garën nga vendi i dytë, pas Lando Norris, por arriti të përfitonte nga një Virtual Safety Car në një moment të rëndësishëm të garës.
Strategjia e Mercedesit funksionoi, ndërsa një ndalesë jo e mirë në bokse për Norris e nxori pilotin e McLaren nga beteja për fitoren.
Pas përfundimit të 14 garave të sezonit, Antonelli kryeson klasifikimin me 292 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, George Russell, ndodhet i dyti me 211 pikë.
Diferenca mes dy pilotëve të Mercedesit është tashmë 81 pikë.
Pas Antonellit, në podium u renditën Max Verstappen në vendin e dytë dhe Lando Norris në të tretin. Charles Leclerc përfundoi i katërti, ndërsa George Russell u pozicionua i pesti.
Për Antonellin, kjo është fitorja e tetë në 14 gara të sezonit 2026. Ai kishte fituar edhe Çmimin e Madh të Italisë në Monza, ku u nis nga vendi i 19-të dhe arriti të rikthehej deri te triumfi.
Me këtë rezultat, italiani 20-vjeçar konsolidon pozitat në krye të kampionatit dhe e bën edhe më të fortë kandidaturën për titullin botëror. Megjithatë, sezoni ende nuk ka përfunduar dhe nëntë gara mbeten për t’u zhvilluar.
The post Antonelli fiton edhe në Madrid, shkëputet në garën për titullin appeared first on Euronews Albania.
