Një orë para se Qeveria e katërt e Albin Kurtit të niste punën, zgjedhja e saj është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ndërkohë, kabineti i ri nisi punën, ndërsa kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje partive politike që të zbatojnë marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit.
Deputetët Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, së bashku me avokatin e Partisë Demokratike të Kosovës, e kanë dërguar në Kushtetuese lëndën për të kundërshtuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një ditë më parë.
Kuvendi u quajt i konstituuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, edhe pse nuk u zgjodh nënkryetari nga radhët e PDK-së, partisë më të madhe opozitare.
PDK-ja kërkon nga Gjykata që ta shpallë jokushtetuese seancën e së dielës dhe të vendosë një masë të përkohshme për të ndaluar punën e Kuvendit.
“Jemi në një situatë ku Kuvendi është themeluar përtej afatit kushtetues dhe përtej afatit politik që ka vendos VV, jo se afati politik ka relevancë për këtë gjykatë apo Kushtetutën, por, deklarimi i një partie që themeloi me 6, ka rëndësi për neve si njerëz të këtij vendi. Si mundet partia që ka fituar, me gënjyer publikisht dhe ta themelojmë, mos me e marrë fjalën publikisht? Dhe kjo ka rëndësi për gjykatën, jo për politikën. Për neve si njerëz që jetojmë në këtë vend, ka shumë rëndësi”, tha deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Por, pavarësisht kundërshtimit të PDK-së dhe Aleancës, Qeveria Kurti 4 nisi punën të hënën në mëngjes. Kryeministri u pa duke hyrë në ndërtesën e qeverisë pak pas orës 08:00.
Në mbledhjen e parë, kryeministri i rikonfirmuar Kurti tha se puna do të vazhdojë aty ku u ndërpre, sipas tij, pa nevojë dhe në dëm të vendit.
“Sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit. Mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin, urime të gjithëve. Përpara, kemi shumë punë e projekte. Sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkërisht do t’ia dalim ballë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për shtetin. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona do ta lartësojnë Republikën me qytetarë të sigurt, dhe do të zhvillojnë shoqërinë me familjet begata”, tha Kurti.
Kryetari i Vetëvendosjes përsëriti në mbledhjen e qeverisë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas tij, duhet të zbatohet marrëveshja me LDK-në për zgjedhjen e presidentit.
“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, tha Albin Kurti.
PDK-ja pritet që të martën të dërgojë një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, këtë herë për ligjshmërinë e votimit të kabinetit Kurti. Gjykatës Kushtetuese do t’i drejtohet edhe Aleanca e Ardian Gjinit, e cila e bojkoton Kuvendin prej rreth një muaji.
Albin Kurti mori 62 vota pro dhe 8 kundër nga Lista Serbe në votimin për qeverinë e katërt të Vetëvendosjes. Të tria partitë politike shqiptare të opozitës, PDK, LDK dhe Aleanca, e bojkotuan seancën.
The post PDK konteston qeverinë, “Kurti 4” në Kushtetuese, kabineti i ri nis punën appeared first on Euronews Albania.
