Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm në Kosovë dhe të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters lidhur me situatën në Kosovë dhe aktgjykimin që pritet të shpallet të mërkurën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Rutte tha se KFOR-i “është aty”, pavarësisht lajmeve që mund të vijnë.
“KFOR-i është aty për t’u siguruar që NATO-ja të vazhdojë të kontribuojë në stabilitet dhe paqe”, u shpreh Rutte.
Ai theksoi se prania e NATO-s në Kosovë ka krijuar prej më shumë se dy dekadash një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për qytetarët. Dhe kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Rutte nënvizoi gjithashtu se angazhimi i Aleancës për paqen dhe sigurinë në Kosovë është afatgjatë dhe do të vijojë.
Sipas tij, NATO-ja do të vazhdojë të vlerësojë se cili është konfigurimi më i përshtatshëm i KFOR-it dhe se si misioni mund të përshtatet me situatën konkrete në Kosovë.
“Kjo nënkupton vlerësimin e vazhdueshëm se cili është konfigurimi më i mirë i KFOR-it dhe se si mund të përshtatet më së miri me situatën konkrete”, deklaroi Rutte, duke shtuar se zhvillimet në Kosovë kanë ndikim edhe në stabilitetin e të gjithë rajonit.
Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
The post Rutte: KFOR-i do të vijojë të jetë në Kosovë, pavarësisht aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Euronews Albania.
