I ftuar në Euronews Albania me gazetarin Thimi Samarxhiu, profesor Klejd Këlliçi u shpreh se nuk beson që Hashim Thaçi do të jetë kandidat për president të Kosovës apo që Albin Kurti do ta propozonte atë për këtë post.
Sipas tij, zgjidhja e krizave institucionale në Kosovë duhet të bëhet përmes mirëkuptimit dhe jo duke imponuar figura me ngarkesë të fortë simbolike apo politike. Këlliçi theksoi se edhe nëse Thaçi del i pafajshëm nga procesi gjyqësor, e udhës sipas tij do të ishte tërheqja e tij nga skena politike, pasi një vendim pozitiv do të provonte pastërtinë e luftës dhe do të përmbyllte me dinjitet trajektoren e tij.
“Nuk besoj që do të jetë Hashim Thaçi kandidat për president. Nuk mund të imponohet për sa kohë që. Nuk e besoj që Albin Kurti të propozojë Hashim Thaçin për president. Problemi në Kosovë është ky: që nuk duhet që një krizë institucionale të zgjidhet me simbole më tepër sesa të zgjidhet nga mirëkuptimi.
Për mua, jo, nuk do të ishte as e mundur dhe as e dëshirueshme në kuptimin e asaj që kam përshtypjen që, të paktën për zotin Thaçi, në rast se do të dilte nga ky proces i pafajshëm, do të ishte e udhës që të tërhiqej nga skena politike. Jo fort për frikën apo përballjen me procese të ngjashme e kështu me radhë, por me idenë që, në fund të ditës, kjo trajektorja e tij politike mbyllej me një vendim i cili do të provonte jo vetëm pafajësinë, por do të provonte dhe pastërtinë e luftës në Kosovë.
Thaçit do t’i kërkohej që t’i kundërvihej apo të përballej me zotin Kurti, dhe unë e kam thënë gjithmonë që nuk mundet një parti që është në mazhorancë të pranojë një president Republike, pra të pranojë një kundërshtar politik si president Republike, sepse, sikurse kërkohet nga opozita një kandidat i cili të ruajë balancën institucionale, ashtu do të kërkohet edhe nga opozita një president i cili duhet të ruajë dhe distancë të barabartë mes subjekteve politike.
Dhe kam përshtypjen që nuk e garanton këtë as zoti Thaçi, as zoti Veseli, nuk e garantonte këtë as Vjosa Osmani. Në fund të ditës duhet të kuptohet që, meqë zgjedhja e presidentit po kthehet në atë mollën e sherrit ose në elementin i cili e fut në krizë sistemin politik në Kosovë, atëherë me të vërtetë duhet gjetur një personazh politik i cili ka disa karakteristika.
Për mua, zoti Sejdiu këtë karakteristikë e përmbushte; si zoti Sejdiu ka dhe 20 të tjerë në Kosovë. Kam përshtypjen që e udhës do të ishte më mirë inkorporimi i një kandidati për president Republike që nuk ka gjithë atë ngarkesë politike, pasi jam i bindur që do t’i kërkohej pikërisht konfrontimi me zotin Kurti”, u shpreh ai.
The post Skenari i fundit! A do ta pranojë Kurti Hashim Thaçin president? appeared first on Euronews Albania.
