Avokati i Thaçit: I rashës kokës me grushte kur gjyqtari tha në emër të popullit të Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar vendimin ndaj ish-presidentit të Kosovës si një “tallje me drejtësinë”, ndërsa ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë atë.

Duke komentuar vendimin e shpallur nga Dhomat e Specializuara, Prosper tha se, sipas tij, procesi ishte i paracaktuar dhe se gjykata ka dhënë një interpretim të historisë që mbrojtja nuk e pranon.

“Është e qartë se ky vendim ishte i paracaktuar. Ajo që pamë sot është një gjykatë që rishkroi historinë. Është fundi i gjykatave ndërkombëtare. E injoruan mbrojtjen”, deklaroi Prosper.

Ai foli edhe për përmbajtjen e aktgjykimit, duke pretenduar se vendimi e lidh Thaçin me një organizatë kriminale. Prosper tha se kishte komunikuar me Thaçin pas vendimit dhe se ish-presidenti i kishte shprehur mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve.

“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, u shpreh avokati.

Prosper tregoi gjithashtu për reagimin e tij gjatë shpalljes së vendimit, duke thënë se “goditi kokën me grushte” kur gjyqtari shqiptoi fjalët “Në emër të popullit të Kosovës”.

Në deklaratën e tij, avokati iu drejtua edhe Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të shqyrtohet raporti dhe marrëdhënia me Dhomat e Specializuara. Sipas Prosperit, Kosova duhet të marrë një vendim sovran, të cilin ai e konsideron në interesin më të mirë të vendit.

“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, tha Prosper.

The post Avokati i Thaçit: I rashës kokës me grushte kur gjyqtari tha në emër të popullit të Kosovës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: