Vendimi në Hagë, Ali Ahmeti: Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar pas vendimit të marrë këtë të mërkurë në Hagë e cila dënoi me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së. Ahmeti u shpreh se vendimi është i padrrejtë dhe zhgënjyës.

Ai shtoi se procesi nuk përfundon këtu teksa shtoi se drejtësia do të kërkohet në Gjykatën e Apelit. Sipas tij, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve.

“Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.

Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë.

UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit; dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësine e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale.

Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh.

Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund.

Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, shkruan ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

The post Vendimi në Hagë, Ali Ahmeti: Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: