Kryeveterani i UÇK-së kërkon dorëheqjen e Donika Gërvallës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati kërkoi dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, krahas shfuqizimit të vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Në protestën e sotme, ku u mblodhën mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu” për të kundërshtuar dënimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të distancohet edhe nga ish-deputeti dhe zyrtari i LVV-së, Liburn Aliu, meqë, sipas tij, i njëjti kishte bërë deklarata në Kuvend, shkruan KosovaPress.

Duke kritikuar mosdeklarimin e ministres Gërvalla, për verdiktin e Speciales, ai tha se e njëjta ka dërguar dokumentacione në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe të marrë parasysh gjithë këtë popull, mbi 2 milionë shqiptarë, që janë ngritur në këmbë për t’i mbrojtur djemtë e vet. Ne sot jemi të befasuar që ende nga institucionet e vendit tonë nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të dalë dhe të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dërguar dokumentacione në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në Kuvend. Ne i bëjmë thirrje Albin Kurtit që t’i përjashtojë nga qeveria këta njerëz. Njerëzit që bashkëpunojnë me armikun janë armiq të vendit dhe kombit tim dhe nuk i dëshirojmë në mesin tonë. Ne çlirimtarët e vendit nuk jemi kundër asnjë qeverie, por jemi kundër atyre njerëzve që heshtin, gëzohen për dënimin e tyre. Unë befasohem nga Albin Kurti se qysh e mban një njeri që ende nuk e foli asnjë fjalë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një njeri si Donika Gërvalla, që ende nuk ka kërkuar falje para qytetarëve të Kosovës dhe dëshmorëve. Ne dimë të falim, por kërkojmë sqarim nga ajo dhe Liburn Aliu se ku i morën ato informata. Kush janë ata që i kanë vrarë ata njerëz”, tha ai.

Me pankartat në duar “Luftuam për liri”, “Ju paralajmërojmë, padrejtësinë nuk e pranojmë” dhe flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së, qytetarët kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

The post Kryeveterani i UÇK-së kërkon dorëheqjen e Donika Gërvallës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: