Albin Kurti: Donika Gërvalla është “objektiv i gabuar”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është “objektiv i gabuar” i disa protestuesve në Prishtinë që kanë kërkuar dorëheqjen e saj, pasi ajo kishte thënë vite më parë se do të dërgonte dëshmi në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Kurti, në një bashkëbisedim me studentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dëgjohet në një video të publikuar nga VOX Kosova, u pyet për mosreagimin e Gërvallës pas dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim.

“Pse nuk u është drejtuar ajo (Donika Gërvalla) qytetarëve të Kosovës për të sqaruar publikisht qëndrimin e saj dhe veprimet e saj lidhur me këtë çështje? Mendoj se qytetarët kanë të drejtë ta dinë qartë se ku qëndrojnë institucionet dhe përfaqësuesit e tyre përballë asaj që ju vetë sapo e quajtët të padrejtë”, pyeti studentja Laura Dragusha.

Kurti, duke iu përgjigjur asaj, tha se selektimi i këtyre deklaratave të Gërvallës dhe “reagimi emocional” ndaj tyre është “dëm i madh” që u bëhet ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Donika Gërvalla ka thënë shumë gjëra, por çështja është se çfarë po zgjidhni ju të shfaqni nga ato që ajo ka thënë. Mendoj se është dëm i madh ndaj katër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët padrejtësisht janë të burgosur në Hagë, që të drejtohet reagimi emocional kundër Donika Gërvallës”, tha ai.

“Por, nëse jeni kundër kryeministrit Kurtit, mos e ktheni Donika Gërvallën në objektiv dhe pastaj të përpiqeni në këtë mënyrë ta ndihmoni Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, sepse nuk do të ndodhë. Është një reagim emocional ndaj objektivit të gabuar”, tha Kurti.

The post Albin Kurti: Donika Gërvalla është “objektiv i gabuar” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: