Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Takimi u mbajt në New York, në kuadër të angazhimeve të liderëve gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Lajmi mbi takimin bëhet me dije nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, pa dhënë detaje mbi diskutimet mes dy liderëve.
Siç ka njoftuar kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook, në këtë takim mes tjerash me presidentin Erdogan kanë diskutuar edhe për aktvendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me Presidentin Erdoğan diskutuam edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka shkruar Kurti duke bërë të ditur se e ka ftuar presidentin Erdogan të vijë për vizitë në Kosovë.
Më tej Kurti ka thënë se gjatë këtij takimi ka shprehur edhe mirënjohje për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin në sigurinë e ofruar në Kosovë dhe gjithashtu bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve, duke iu referuar fabrikës së muinicionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.
“Në anën tjetër, shpreha mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tone”, thuhet në postimin në Facebook.
Në vazhdën e takimeve, Kurti gjatë ditës është takuar me kongresistë amerikanë. Me Mike Laëler, ai ka diskutuar edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore.
The post Kurti takim me Erdoganin në New York, diskutime edhe për vendimin e Speciales për ish-krerët e UÇK-së appeared first on GIJOTINA.
