Vuçiç dhe Sheshel bashkë në zgjedhjet parlamentare

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

“Fyerje për viktimat e Vojisllav Sheshelit”.

Me këto fjalë, Marko Millosavleviç, nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), e vlerëson listën e përbashkët parazgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), që është në pushtet në Serbi, dhe Partisë Radikale Serbe (SRS), të cilën Sheshel e themeloi në fillim të viteve ‘90.

Sheshel është dënuar me vendim të formës së prerë për krime lufte, përkatësisht nxitje të përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina.

Në listën e kandidatëve të propozuar për deputetë nga Partia Përparimtare Serbe, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, janë përfshirë disa anëtarë të SRS-së ultranacionaliste të Sheshelit.

Mes tyre është edhe Vjerica Radeta, ekstradimin e së cilës e kërkon Mekanizmi Rezidual në Hagë, në procedurën për shpërfillje të Tribunalit.

Mekanizmi Rezidual nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar bashkëpunimin parazgjedhor të SNS-së me radikalët dhe kandidimin e Radetës për deputete.

Dy partitë bashkëpunojnë prej vitesh në nivel lokal, por kjo është hera e parë që garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare që nga themelimi i Partisë Përparimtare Serbe më 2008, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve u largua nga partia e radikalëve të Sheshelit.

Radikalët sot janë një parti haptazi proruse dhe angazhohen për ndërprerjen e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian – gjë që bie ndesh me politikën zyrtare të përparimtarëve në pushtet.

Serbia e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012.

Çfarë thonë radikalët dhe përparimtarët?

Në fillim të shtatorit, radikalët njoftuan se organet e partisë kishin vendosur që SRS-ja të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në kuadër të listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar” dhe ta mbështesë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për kryeministër të ardhshëm.

Sipas tyre, partia e mori këtë vendim e udhëhequr nga “politika shtetformuese, në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”, si dhe të “ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Serbisë”.

Kryetari i partisë në pushtet, Millosh Vuçeviç, e përshkroi këtë si “bashkim të të gjitha forcave atdhetare dhe patriotike në një listë” në një postim në rrjetin social X.

Ai shtoi se një veprim i tillë i SNS-së tregon “përgjegjësi maksimale ndaj shtetit në një kohë kur Serbia përballet me presione të paprecedenta gjeopolitike”.

The post Vuçiç dhe Sheshel bashkë në zgjedhjet parlamentare appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: