Marrëveshja për refugjatët me Italinë, reagon Rama: Do të vazhdojë për aq kohë sa vendi fqinj do të dojë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” për marrëveshjen me Italinë për refugjatët, duke u shprehur i prerë se pakti do të vazhdojë ‘për sa kohë vendi fqinj do të dojë.

Ku reagim i Ramës vjen në përgjigje të raportimeve mediatike dhe interpretimit të një deklarate të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa i cilëson ato ato si të shtrembëruara. Ai ka sqaruar se qëndrimi zyrtar i Shqipërisë mbetet i pandryshuar dhe marrëveshja me Italinë nuk është në diskutim për t’u ndërprerë në mënyrë të njëanshme.

“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Më lejoni ta ritheksoj qartë, dhe shpresoj përfundimisht, se protokolli ynë me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi, për aq kohë sa Italia e dëshiron atë.”, është shprehur Rama, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy vendeve vijon normalisht dhe në respekt të marrëveshjes së nënshkruar.

Ndërkohë, edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar duke sqaruar se deklarata e tij në Bruksel është keqinterpretuar. Ai theksoi se nuk bëhej fjalë për një ndryshim qëndrimi, por për një përgjigje hipotetike në një pyetje gazetari lidhur me të ardhmen e protokollit pas përfundimit të afatit fillestar pesëvjeçar.

Sipas Hoxhës, komenti i tij lidhej me një reflektim në kontekst të mundësisë që Shqipëria në të ardhmen të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, çka do të ndryshonte rrethanat institucionale të marrëveshjeve të tilla.

Ai shtoi gjithashtu se deklaratat e shkëputura nga konteksti shpesh krijojnë keqkuptime dhe narrativa të pasakta, të cilat nuk pasqyrojnë qëndrimet reale të qeverisë.

Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.

Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke marrë parasysh se deri atëherë Shqipëria mund të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe situata, rrjedhimisht, do të jetë ndryshe.”

Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur në mënyrë të sinqertë.

Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë lidhur me protokollin.

Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti.

Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive“, shkruan Hoxha.

The post Marrëveshja për refugjatët me Italinë, reagon Rama: Do të vazhdojë për aq kohë sa vendi fqinj do të dojë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: