Fundjava sjell emocionet e fazës “Final 4” të kampionatit “Abissnet Superiore”, aty ku nis edhe sprinti për shpalljen e ekipit kampion të sezonit 2025/26. Katër skuadrat më të mira të kampionatit do të zbresin në fushën e stadiumit “Air Albania” në duele që premtojnë rivalitet, tension dhe spektakël për tifozët.
Faza finale do të hapet të shtunën me supersfidën mes Vllaznisë dhe Dinamo City-t, e programuar për t’u luajtur më 16 maj, në orën 19:00, në “Air Albania”. Vllaznia dhe Dinamo City do të matin forcat për herë të shtatë këtë sezon, duke konfirmuar rivalitetin e fortë që ka shoqëruar të gjitha përballjet mes tyre gjatë këtij edicioni. Bilanci i ndeshjeve direkte ka qenë mjaft i ekuilibruar, me të dy skuadrat që kanë treguar forcë si në mbrojtje ashtu edhe në repartin ofensiv.
Përballjet direkte Vllaznia – Dinamo City 2025/26:
- Dinamo City 3–1 Vllaznia
- Vllaznia 1–0 Dinamo City
- Dinamo City 0–2 Vllaznia
- Vllaznia 0–0 Dinamo City
- Dinamo City 1–1 Vllaznia
- Vllaznia 0–1 Dinamo City
Po aq interesante pritet të jetë edhe përballja mes Elbasanit dhe Egnatias, dy skuadra që gjithashtu do të luajnë ndeshjen e shtatë sezonale mes tyre. Verdheblutë kanë treguar efikasitet më të lartë në sulm, duke realizuar gjashtë gola ndaj Egnatias, ndërsa rrogozhinasit kanë shënuar pesë herë në sfidat direkte.
Përballjet direkte AF Elbasani – Egnatia 2025/26:
- Egnatia 1–1 AF Elbasani
- AF Elbasani 1–0 Egnatia
- Egnatia 2–2 AF Elbasani
- AF Elbasani 0–0 Egnatia
- Egnatia 1–1 AF Elbasani
- AF Elbasani 1–1 Egnatia (2-4 pen.)
Ndërkohë, në prag të nisjes së fazës finale, në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua edhe një takim me grupin e arbitrave, arbitrave asistentë dhe arbitrat VAR të përzgjedhur për ndeshjet vendimtare të sezonit.
Në takim ishte i pranishëm edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili theksoi rëndësinë e kësaj faze dhe rolin kyç të arbitrimit në garantimin e standardeve sportive dhe korrektësisë në garën për titullin kampion.
Sektori i Arbitrimit ka përzgjedhur arbitra me eksperiencë për të drejtuar sfidat e “Final 4”, ndërsa gjatë mbledhjes u analizuan edhe situata të ndryshme arbitrimi që kanë shkaktuar debate gjatë sezonit, si në futbollin shqiptar ashtu edhe në kampionate ndërkombëtare.
Përveç garës për titullin, fundjava sjell edhe duele vendimtare për mbijetesën dhe ngjitjen në elitë. Të shtunën, më 16 maj, në stadiumin “Niko Dovana”, do të luhet finalja e play-out-it mes Teutës dhe Pogradecit.
Skuadra durrsake synon të sigurojë qëndrimin në “Abissnet Superiore” pas përfundimit të kampionatit në vendin e tetë, ndërsa Pogradeci vjen në këtë duel pas triumfit ndaj Besës në play-off-in e Kategorisë së Parë, ku fitoi 1-0 pas kohës shtesë.
Takimi Teuta – Pogradeci do të nisë në orën 16:00 dhe fituesi do të sigurojë pjesëmarrjen në elitën e futbollit shqiptar për sezonin 2026/27.
Ndërkohë, Komisioni i Ligave dhe Garave ka vendosur që ndeshja play-off për Kategorinë e Parë mes Kukësit dhe Butrintit të zhvillohet më 28 maj, në stadiumin “Arena Egnatia” në Rrogozhinë. Kjo sfidë do të përcaktojë ekipin që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm.
The post Të shtunën nis “Final 4”, Vllaznia dhe Dinamo City hapin garën për titullin appeared first on Euronews Albania.
