Përmbysje spektakolare 4-3 ndaj Tiranës, Teuta U-17 fiton Kupën e Shqipërisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Teuta U-17 është fituese e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon, pasi triumfoi në një finale spektakolare ndaj Tiranës me rezultatin 4-3, në ndeshjen e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”.

Finalja dhuroi emocione të shumta dhe ritëm të lartë, me dy skuadrat që prodhuan plot shtatë gola dhe një përmbysje dramatike në minutat e fundit të sfidës.

Tirana e nisi më mirë takimin, duke kaluar shpejt në avantazh falë golave të Maçit dhe Marinajt, që i dhanë bardhebluve epërsinë 0-2. Megjithatë, Teuta reagoi në fundin e pjesës së parë dhe ngushtoi diferencën me anë të Gripshit, duke mbajtur të hapur sfidën.

Në pjesën e dytë, Maçi realizoi sërish për Tiranën, duke rikthyer diferencën në dy gola dhe duke çuar rezultatin në 1-3. Kur gjithçka dukej në favor të bardhebluve, durrsakët reaguan në mënyrë të jashtëzakonshme.

Fillimisht ishte Gjuzi ai që shënoi golin e dytë për Teutën, ndërsa më pas Godime barazoi rezultatin në 3-3, duke rikthyer ekuilibrin në finale. Pak minuta më vonë, sërish Gjuzi gjeti rrugën e rrjetës dhe kompletoi përmbysjen spektakolare të Teutës për rezultatin përfundimtar 4-3.

Në përfundim të takimit u zhvillua ceremonia e organizuar nga FSHF, ku medaljet dhe trofeu iu dorëzuan skuadrës fituese nga legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari.

Me këtë sukses, Teuta U-17 kurorëzon një sezon pozitiv, ndërsa finalja ndaj Tiranës do të mbahet mend si një nga ndeshjet më emocionuese të futbollit të moshave këtë sezon.

The post Përmbysje spektakolare 4-3 ndaj Tiranës, Teuta U-17 fiton Kupën e Shqipërisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: