Federata Shqiptare e Futbollit ka propozuar Aleksander Ceferin për një mandat të ri në krye të UEFA-s.
Vendimi është miratuar unanimisht nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të premte, pas propozimit të bërë nga presidenti i federatës, Armand Duka.
Sipas njoftimit zyrtar, FSHF e konsideron këtë mbështetje si një vlerësim për lidershipin, vizionin dhe kontributin e Aleksander Ceferin në zhvillimin e futbollit europian gjatë viteve të fundit.
Federata Shqiptare e Futbollit thekson se vazhdimësia e drejtimit të UEFA-s nga Ceferin do të garantonte stabilitet, progres dhe mbështetje të mëtejshme për të gjitha federatat anëtare të organizatës europiane të futbollit.
Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë i UEFA-s me federatat kombëtare, përfshirë edhe mbështetjen ndaj projekteve zhvillimore të futbollit shqiptar në vitet e fundit.
Zgjedhjet për Presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohen gjatë Kongresit të 51-të të UEFA-s, i cili është planifikuar të mbahet më 22 prill 2027 në Astana të Kazakistanit.
Në këtë proces zgjedhor, UEFA pritet të përcaktojë drejtimin e ri të futbollit europian për vitet e ardhshme, ndërsa Aleksander Ceferin synon vazhdimin e mandatit në krye të institucionit më të lartë të futbollit europian.
The post FSHF propozon Aleksander Ceferin për një mandat të ri në krye të UEFA-s appeared first on Euronews Albania.
