Elvis Plori, trajneri i Besëlidhjes, ishte i ftuar në emisionin “Kubi Sportiv” në Euronews, ku komentoi fazën “Final Four” të Superiores dhe tregoi për shanset e Vllaznisë së Shkodër për titullin kampion. Ai u ndal te sfida e parë ndaj Dinamo City, duke theksuar se i gjithë futbolli shqiptar po pret me interes ndeshjet finale të këtij sezoni.
Sipas Plorit, Vllaznia hyn në këtë fazë me një avantazh të rëndësishëm falë boshtit të konsoliduar të skuadrës dhe lojtarëve me eksperiencë si Gurishta, Krymi dhe Balaj. Megjithatë, ai paralajmëroi se euforia mund të kthehet në problem për ekipin shkodran, duke kujtuar se në sezonet e fundit kjo ka qenë një nga dobësitë kryesore të skuadrës.
Trajneri i Besëlidhjes vlerësoi gjithashtu rivalitetin me Dinamon dhe forcën e skuadrave si AF Elbasani dhe Egnatia, duke shtuar se gara për titull mbetet e hapur. Në fund, Plori foli edhe për projektin e Besëlidhjes, duke konfirmuar se objektivi i klubit për sezonin e ardhshëm është ngjitja në Superligë.
“Jo vetëm Shkodra, por të katër ekipet finaliste po e presin me padurim këtë fazë. Kjo u pa edhe në javët e fundit të kampionatit, ku gjithë vëmendja ishte përqendruar tek Final Four. I gjithë fokusi i sportdashësve shqiptarë do të jetë aty. Shkodra ka 25 vite që pret rikthimin e titullit dhe ky është një shans shumë i mirë për qytetin, për tifozët dhe për gjithë ata faktorë që këto vitet e fundit kanë qenë pranë suksesit. Vllaznia ka qenë shpesh pranë titullit, por ka mbetur në vend të dytë apo të tretë. Këtë sezon duket se besimi është më i madh. Vllaznia ka një bosht shumë të mirë lojtarësh, që luajnë bashkë prej vitesh. Gurishta, Krymi, Balaj dhe të tjerë kanë krijuar eksperiencë dhe profesionalizëm. Janë lojtarë me karakter të fortë që luftojnë deri në fund dhe kjo është arma më e fortë e skuadrës. Sa i përket Bekim Balajt, ai nuk është një sulmues klasik që matet vetëm me golat. Është një lojtar që punon shumë për skuadrën, ushtron presion te kundërshtarët, hap hapësira dhe ndihmon ekipin në shumë aspekte të lojës. Nuk besoj se periudha pa gola do të ndikojë psikologjikisht tek ai. Euforia ka qenë një problem për Vllazninë ndër vite. Edhe këtë herë mendoj se duhet pasur kujdes, sepse deklaratat dhe tensionet me Dinamon mund të ndikojnë negativisht. Në këto momente, qetësia dhe ekuilibri janë shumë të rëndësishme. Elbasani është një rival shumë i fortë. Është skuadër që luan mirë në tranzicion dhe ka lojtarë të shpejtë. Ndërsa Dinamo, pas fitimit të Kupës, hyn pa shumë presion dhe mund të ndikojë shumë në garën për titull. Përsa i përket Egnatias, largimi i trajnerit në fund të sezonit mund ta ketë destabilizuar disi skuadrën, megjithëse mbetet ekip me eksperiencë dhe cilësi. Shpresoj të shohim një Final Four të bukur dhe me sportivitet, sepse fundi i kampionatit ka lënë shumë për të dëshiruar. Nëse Vllaznia fiton titullin, në Shkodër do të ketë festë të jashtëzakonshme. Vllaznia është pjesë e jetës së qytetit. Në Shkodër çdo gëzim lidhet me Vllazninë dhe qyteti e pret prej shumë vitesh këtë moment. Sa i përket Besëlidhjes, kemi mbyllur sezon fantastik dhe objektivi ynë është Superliga. Projekti do të vazhdojë seriozisht dhe do të ndërtojmë një skuadër konkurruese që synon ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar”, tha Plori.
The post Plori: Vllaznia ka shansin më të mirë për titullin, por duhet kujdes nga euforia appeared first on Euronews Albania.
