Sistemet anti-ajrore ruse dyshohet se kanë çakorduar sinjalin e fluturimit të një avioni të Forcave Ajrore Mbretërore britanike, ku ndodhej sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, John Healey. Incidenti është verifikuar pak pasi dy avionë luftarakë rusë kryen manovra të rrezikshme ndaj një avioni mbikëqyrës të Forcave Ajrore Mbretërore.
Një avion i Forcave Ajrore Mbretërore, me sekretarin britanik të Mbrojtjes në bord, ka konstatuar çoroditje të sinjalit GPS teksa fluturonte në afërsi të kufirit me Rusinë.
John Healey po kthehej në Mbretërinë e Bashkuar pasi kishte vizituar trupat britanike në Estoni, kur ndodhi incidenti, raporton “The Times”.
Sipas gazetës, pas ngjarjes besohet se qëndron Moska, e cila dyshohet se ka detyruar pilotët të përdorin një sistem alternativ fluturimi, pasi GPS-i i avionit është çaktivizuar gjatë një fluturimi tre orësh.
Episodi është verifikuar një ditë pas publikimit të lajmit se dy avionë luftarakë rusë kishin interceptuar vazhdimisht dhe në mënyrë të rrezikshme një avion britanik mbikëqyrës mbi Detin e Zi.
Nuk dihet nëse sekretari Healey është vënë qëllimisht në shënjestër, por gazeta “The Times” raporton se shtegu i fluturimit ishte i dukshëm në faqet e internetit që gjurmojnë itineraret e avionëve.
Gjatë vizitës në Estoni, Healey iu drejtua trupave britanike që po marrin pjesë në stërvitjet ushtarake pranë kufirit rus.
Në incidentin e mëparshëm, një avion luftarak rus “Su-35” iu afrua avionit mbikëqyrës britanik në mënyrë aq të rrezikshme sa aktivizoi sistemet e emergjencës, duke çaktivizuar autopilotin.
Gjithashtu, një tjetër avion rus “Su-27” është afruar në një distancë shumë të vogël, duke kaluar rreth 6 metra nga hunda e avionit britanik.
Gjatë takimit me Forcat Ajrore Mbretërore, sekretari i Mbrojtjes ka vlerësuar profesionalizmin e tyre gjatë këtyre provokimeve ruse, të cilat sipas tij kanë qenë ndër më të rrezikshmet që prej vitit 2022, kur një pilot rebel qëlloi një raketë ndaj një avioni mbikëqyrës në Detin e Zi.
Po ashtu, në vitin 2024, një avion që transportonte sekretarin e atëhershëm të Mbrojtjes, Grant Shapps, ka pësuar çoroditje të sinjalit GPS teksa fluturonte pranë territorit rus.
The post Rusia dyshohet se çakordoi sinjalin GPS të avionit të ministrit britanik të Mbrojtjes appeared first on Euronews Albania.
