Kryeministri në detyrë i Kosoves, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e Qeverisë për subvencionimin e linjave ajrore drejt destinacioneve të caktuara, duke theksuar se një praktikë e tillë zbatohet nga shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë për të nxitur turizmin dhe për të lehtësuar ardhjen e mërgatës.
Në një reagim publik, Kurti tha se rreziku i anulimit të një pjese të fluturimeve gjatë muajve korrik dhe gusht, për shkak të rritjes së kostos së karburantit, e ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e Qeverisë.
Sipas tij, anulimi i fluturimeve do të ndikonte drejtpërdrejt në ardhjen e bashkatdhetarëve gjatë sezonit veror, gjë që do të kishte pasoja jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për ekonominë e vendit, shkruan KosovaPress.
“Kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë”, ka deklaruar Kurti.
Ai bëri të ditur se vendimi i marrë nga Qeveria parasheh ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” me aeroportet nga ku udhëton mërgata kosovare. Masa, sipas tij, mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit deri në fund të muajit tetor.
Kurti ka mohuar pretendimet e opozitës se bëhet fjalë për blerje biletash apo organizim të ardhjes së mërgatës për zgjedhje.
“Nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit”, shkruan Kurti në Facebook.
Në fund të reagimit, Kurti u ka drejtuar një mesazh bashkatdhetarëve: “Mërgatë, mirë se vini!”.Dje, Qeveria në detyrë ka ndarë 2 milionë euro për mbështetje të mërgatës.
Këto mjete do të shpërndahen për “mbështetje të linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”, u tha në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit. Për këto mjete financiare ka pasur reagime të ndryshme nga opozita dhe shoqëria civile.
The post Ndarja e 2 milionë eurove për diasporën, Kurti jep sqarime appeared first on Euronews Albania.
