I ftuar në emisionin Kubi Sportiv në Euronews, sulmuesi i ri shqiptar Erald Maksuti ka folur për transferimin e tij te Akhmat Grozny, duke zbuluar detaje nga marrëveshja dhe planet e tij të karrierës.
Ai tha se zgjedhja për t’u transferuar në Rusi nuk ishte vetëm financiare, por edhe sportive, duke theksuar rëndësinë e minutazhit dhe projektit të klubit.
Sulmuesi 21-vjeçar u shpreh se kampionati rus përfaqëson një sfidë të re dhe një hap për zhvillimin e tij profesional. Ai shtoi se ka pasur edhe oferta të tjera, por projekti i Akhmat Grozny e ka bindur më shumë.
Në intervistën me gazetarin Drilon Xhepollari, Maksuti tregoi se ka marrë këshilla nga ish-futbollisti Odise Roshi për përshtatjen në kampionatin rus, ndërsa theksoi se është i gatshëm për çdo ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë, duke e konsideruar përfaqësimin e vendit si një ëndërr të madhe.
Ai u ndal edhe te sezoni i fundit me Flamurtarin, ku shënoi 12 gola dhe dha 3 asistime, si dhe deklaroi se synon të përmirësojë statistikat në sezonin e ri në Rusi dhe të rrisë nivelin e tij në futbollin europian.
Maksuti foli gjithashtu për eksperiencën e hershme në Itali, rolin e familjes në karrierën e tij dhe objektivin final për të luajtur në kampionate elitë si Serie A ose Bundesliga.
Maksuti ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me klubin rus Akhmat Grozny, ndërsa Flamurtari i Vlorës ka përfituar rreth 700 mijë euro nga ky transferim.
The post Maksuti zbulon detajet e transferimit te Akhmat Grozny: Kam garanci minutash, Rusia hap i madh në karrierë appeared first on Euronews Albania.
