Rënia e eksporteve bëhet trend, -8.5% në shtator, 14.2% më pak për 9-mujorin 2024

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Eksportet e mallrave shqiptare jashtë vendit janë në rënie të lirë duke sinjalizuar se përmirësimi do të jetë i vështirë.

Sipas të dhënave të INSTAT në muajin shtator shitjet e mallrave shqiptare jashtë vendit arritën një vlerë 31 mld lekë, duke u ulur me -8,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Trendi i u përmirësua në krahasim me gushtin ku rënia ishte mbi 18%.

Në korrik tkurrja ishte 12% dhe në qershor ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me -21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me- 29.2%.

Gjatë muajit Shtator 2024, në uljen e eksporteve prej -8,5%, kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me – 5,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +0,5 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje.

Për tetë-mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, Në këtë tetë-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 285 mld lekë, duke u ulur me -14,2%.

Për 8 mujorin, Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,4 pikë përqindje.

Gatë këtij nëntëmujori janë ulur me -14,2%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -6,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,5 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,04 pikë përqindje.

Tekstilet dhe këpucët me rënie dyshifrore

Në shtator eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 17.2%. Për 9 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 78,9 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.7% me bazë vjetore.

Industria po vijon të vuajë pasojat e shumë faktorëve si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve.

Eksportuesit janë të shqetësuar se kjo situatë po bëhet kronike dhe kanë pa shpresa për rikuperimin e aktivitetit si për rrjedhoje të uljes së aftësive konkurruese ashtu dhe kërkesës së dobët për veshje e këpucë në tregjet ndërkombëtare.

Minerale, lëndë djegëse rënie thellë

Eksportet në grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji” eksportet ranë me 12.4% në shtator . Ky grup ndikohet nga ecuria e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 9 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 55 miliardë lekë, me tkurrje 26.4%.

Materiale ndërtimi dhe metale i rikthehen rënies

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i tretë më të madh në vend për 9 mujorin. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.

Në shtator vijoi rënia me 4% qe nisi ne gusht me -16%, pasi ishte rritur me 21.3%. në korrik. Për 9 mujorin, sektori është me një rënie prej 8.5%. Në gusht Kurum njoftoi se kishte ndërprerë aktivitetin për shkak të konjukturës së pafavorshme të çmimeve.

Ushqime pije e duhan u rriten ne shtator

“Ushqime pije e duhan”, u rriten në shtator me 5.4 pas një tendencë negative. Shitjet në shtator u rriten me 5.3%. Për 9 mujorin, ky grup ka rënë me -7.7%.

Eksportuesit pohojnë se tkurrja lidhet kryesisht me rënien e çmimeve për shkak të mbiprodhimit, ndërsa sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta. Këtë vit ka pasur superprodhim në të gjithë Mesdheun, të nxitura nga çmimet e larta dhe moti i favorshëm, duke bërë që të ketë ofertë të lartë në Europë.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.

Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Në shtator eksportet në këtë grup u rriten me 4.2% nga një rënie me 1.3% në gushte, ndërsa për 9- mujorin tkurrja është 5.8%.

Ecuria e eksportit në vlerë (mln lekë)

Burimi: INSTAT

Ecuria e eksportit në vlerë (mln lekë) shtator 2023-2024

Burimi: INSTAT

The post Rënia e eksporteve bëhet trend, -8.5% në shtator, 14.2% më pak për 9-mujorin 2024 appeared first on Revista Monitor.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *