AADF: 15 vite kontribut në zhvillimin e vendit

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Në dy festa të mëdha, në Tiranë e në Korçë, së bashku me bashkëpunëtorët por dhe me komunitetet lokale që kanë përfituar drejtpërdrejt nga kontributi ndër vite, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në Shqipëri ka festuar 15 vitet e angazhimit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, për themelimin e fuqizimin e sipërmarrjeve të reja, ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit, dhënien e mundësive të rinjve për zhvillimin e aftësive digjitale e në leadership, si dhe promovimin e ekoturizmit.

Eventi i 15 vjetorit u organizua në Pallatin e Brigadave, në praninë e personaliteteve si Presidenti i Republikës, zoti Bajram Begaj, Bordi Drejtues i AADF dhe Kryetari i tij Zoti Michael Granoff, përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, zonja Nancy VanHorn, Bashkëdrejtorët Ekzekutivë Aleksandër Sarapuli e Martin Mata dhe partnerë të tjerë strategjikë.

Në këtë event u reflektua mbi 15 vitet e përkushtimit e angazhimeve të AADF-së, që kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejt e të qëndrueshëm në jetën e shqiptarëve, duke vendosur një standard të ri për mënyrën si një komb mund të transformojë veten, shoqërinë, mendësinë dhe të ardhmen e tij.
Michael Granoff, Kryetar i Bordit Drejtues të AADF-së, tha se: “AADF-ja është një nismë amerikane. Jemi të nderuar që jemi pjesë e partneritetit mes dy vendeve. Kjo marrëdhënie e veçantë shqiptaro-amerikane është forcuar me kalimin e kohës. Me përpjekjet tona janë tërhequr më shumë se 150 milionë dollarë në kontribute partnerësh për realizimin e projekteve në fusha me rëndësi strategjike, si sipërmarrja, arsimi, trashëgimia kulturore dhe eko-turizmi”.

 

Fjalës së Granoff iu bashkua edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bajram Begaj, i cili si përfaqësuesi më i lartë i shtetit shprehu mirënjohjen për kontributin e popullit amerikan në zhvillimin e atij shqiptar. “Suksesi juaj i ka rrënjët në marrëdhëniet e ngushta që Shqipëria ka me SHBA-të. Ju keni meritën që këto marrëdhënie i keni zhvilluar dhe i keni forcuar edhe më tej”, u shpreh Presidenti Begaj.

 


E pranishme në këtë ceremoni, Përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, zonja Nancy VanHorn, vlerësoi kontributin e Fondacionit për rezultate të frytshme, të cilat do të ndikojnë edhe në të ardhmen. “Shqiptarët kanë një fjalë të urtë, të cilën e kam mësuar kur erdha këtu.

‘Gur, gur bëhet mur. Mur, mur bëhët kalaja’ dhe për 15 vjet, AADF ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë, duke kontribuar për një të ardhme më të mirë”, tha ndër të tjera zonja VanHorn.

Një moment i rëndësishëm ishte edhe letra që Sekretari i Shtetit, zoti Antony Blinken, i kishte dërguar Granoff, për t’i uruar 15-vjetorin e AADF-së. Ndër të tjera, në letër shkruhej: “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit luan një rol jetik në formësimin e gjeneratës së ardhshme të liderëve shqiptarë, që janë të përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, më të begatë e të sigurt për Shqipërinë.”


Dy ditë më pas, mesazhet për rëndësinë e projekteve të AADF-së, që kanë ndikuar ndjeshëm në trasformimin e qendrave të qyteteve shqiptare, u përcollën edhe në eventin e organizuar tek Pazari i Korçës, ku krahas drejtuesve të AADF-së ishin të pranishëm edhe deputeti Niko Peleshi dhe Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, të cilët vlerësuan kontributin që AADF ka dhënë edhe në rijetëzimin e qytetit të Korçës.
Në të dy eventet e festimit të 15 viteve kontribut të AADF, një element i veçantë ishin performancat artistike që i dhanë këtij përvjetori ngjyrat e festës e që përcollën energjinë e vazhdimësisë së misionit dhe vizionit që AADF ka për Shqipërinë.

The post AADF: 15 vite kontribut në zhvillimin e vendit appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *