Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Onejda Ymerit, e cila ankimoi vendimet e GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për sekuestrimin e celularit të saj në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke pretenduar se i janë cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës (komunikimi privat midis individëve) dhe të dhënat personale.
Pas një seance maratonë prej 7 orësh, Gjykata Kushtetuese pranoi që është cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës së Onejda Ymerit, sepse ajo nuk ka qenë vetë nën hetim penal apo e akuzuar.
Në vendim thuhet se SPAK duhet të fshijë menjëherë kopjet e korrespondencës që nuk kanë lidhje me hetimin, në kuadër të të cilit i është sekuestruar celulari.
Sipas Kushtetueses, sekuestrimi i celularit nuk është thjesht send, por sekuestrim korrespondence, dhe korrespondenca garantohet në Kushtetutë e mbrohet nga arbitrariteti.
“Nëse prokuroria e sekuestron në urgjencë, duhet shkuar në gjykatë. Gjykata nuk mund të lejojë shqyrtim të gjerë të të dhënave në telefon, por duhet të jetë specifike se çfarë syri duhet të shohë,” – thotë Kushtetuesja.
Më tej, Kushtetuesja udhëzon se çfarë duhet të mbahet nga materialet e nxjerra nga celulari i Onejda Ymerit për hetimin, do ta vendosë gjykata. SPAK dhe Onejda Ymeri do të përballen në gjykatë, ku do të filtrohet në debat gjyqësor se çfarë do të marrë apo jo Prokuroria e Posaçme nga telefoni, për nevoja të hetimit.
Bëhet me dije se celulari i Onejda Ymerit është sekuestruar nga OPGJ pa vendim gjyqësor, dhe Kushtetuesja thekson se celulari nuk është send, por korrespondencë, dhe duhej që gjykata të jepte vendim konkret për sekuestrim korrespondence, por një vendim i tillë ka munguar.
Kush është Onejda Ymeri?
Pas përpjekjeve për të ndërtuar një karrierë si balerinë në Itali, Onejda Ymeraj u kthye në Shqipëri, ku falë vjehrrës saj Arjana Strakosha, zëvëndësdrejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, hapi një farmaci para Pediatrisë, ku shiste ilaçet kontrabandë të bashkëshortit, Arbër Teqja, i arrestuar më pas për këtë aktivitet.
Ymeraj kishte vetëm emrin pasi farmacia menaxhohej nga Arbër Teqja dhe mamaja e tij Arjana Strakosha. Zonja Ymeraj punonte ndërkohë në një bankë të nivelit të dytë.
Në maj të viti 2015, Onejda Ymeraj u emëruar drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, në konlikt të pastër interesi, pasi bashkëshorti dhe vjehrra e saj kishin biznes barnash.
Sapo mori detyrën që i dhanë, Ymeraj deklaroi se do të kontrollonte depot farmaceutike dhe nuk do të toleronte asnjë abuzim. Por, pas një muaj, ajo dha dorëheqjen pa shpjegim.
Nuk do të kalonin shumë kohë dhe skandali ku ishte përfshirë edhe burri i saj, ArbërTeqja, do të plaste në publik. Pas një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, Arbër Teqja u arrestua në nëntor 2015 si pjesë e një skeme mashtrimi dhe vjedhjeve të parave publike, përmes rimbursimit të medikamenteve me anë të farmacisë “Express”, të cilën e administronte.
Arbër Teqja ishte pjesë e grupit me mbi 20 persona, që prodhonte receta false dhe merrte para publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në krye të grupit qëndronte Nadir Çausholli, një emër i njohur për aferat me barnat.
Teqja jo vetëm doli shumë shpejt nga qelia dhe i shpëtoi ndëshkimit, por deri më sot ka marrë miliona euro tendera në sektorin e shëndetësisë, me kompaninë e krimeve mjedisore Eco Riciklim, gjoja për riciklimin e mbetjeve spitalore, të cilën disa ditë më parë ia ka shitur Allajbeut për 60 mijë euro.
Dokumentet zyrtare tregojnë se ‘Eco Riciklim’ ka marrë paratë publike për gjoja asgjësimin e mbetjeve spitalore, por nuk ekziston dokumentacioni real për të faktuar procesin e asgjësimit deri në hallkën fundore siç parashikohet në kontrata.
Teqja është pronar me 70 % të aksioneve i kompanisë së grumbullimit, përpunimit, transportit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore ECO RICIKLIM (L61814009B).
Teqja bleu fillimisht 51 % të aksioneve të kompanisë ECO RICIKLIM në dhjetor 2020.
Kompania ECO RICIKLIM, e skeduar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për mashtrim me asgjesimin e mbetjeve spitalore, ka marrë 60 tendera në sektorin e shëndetësisë, 5 nga të cilët drejtëpërdrejt nga QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, mamaja e Arbër Teqjat, pronar kryesor i kompanisë përfituese të parave publike.
Tenderin e fundit, kompania e Arbër Teqajt e ka marrë nga QSUT në 21 mars 2025, për ‘trajtim dhe asgjesim i mbetjeve të QSUT, me vlerë 1.5 milionë euro, si gjithnjë pa konkurrencë, me pazar në tavolinë dhe me ofertë fituese sa fondi limit.
Arbër Teqja ka lidhje me kompaninë MSE (ish “ASHLAR Group”), e cila ka si objekt import-eksport dhe tregtim me shumicë dhe pakicë të instrumentave dhe pajisjeve shendetësore dhe medicinale, sanitare etj. Kompania është themeluar nga Denisa Bishyti në korrik të vitit 2018.
Dy vjet më vonë, në tetor 2020, Denisa Bishyti ua shet kompaninë shtetasve Ilda Tërshana, Arbër Liçaj dhe Can Kutay Orten.
Në 22 nëntor 2022 shfaqet Arbër Teqja, i cili blen 80 % të aksioneve të kompanisë MSE shpk, me vlerë 4.6 milionë lekë.
Në 8 qershor të vitit 2023, Arbër Teqja nis të kamuflohet, duke nxjerrë në skenë një kompani gjoja të huaj. Teqja ia kalon 80 % të aksioneve kompanisë Cambridge Pathology B.V., e themeluar në Hagë, me adresë Nassaulaan 2A, 2514 JS dhe NIPT 27304776. Pas kësaj kompanie fshihen fijet e Arbër Teqjajt. A do t’i fshijë gjykata nga celualari i bashkëshortes së Arbër Teqajt bisedat që lidhen me këto afera?
gijotina.com/
The post I mori telefonin SPAK-u, kush është Onejda Ymeri që fitoi gjyqin në Kushtetuese? appeared first on GIJOTINA.
