Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Presidenti francez Emmanuel Macron është parë duke qeshur teksa liderët e Shqipërisë dhe Azerbajxhanit u tallën me presidentin amerikan Donald Trump për pretendimin e tij se kishte përfunduar luftëra që përfshinin vendet e tyre.
Në takimin e Komunitetit Politik Europian në Kopenhagë, Macron u pa duke biseduar me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Kryeministri shqiptar Edi Rama u afrua me zemërim të shtirur dhe i tha Macron-it: “Duhet të na kërkosh falje… sepse nuk na ke uruar për marrëveshjen e paqes që presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.”
Komenti i tij i referohej ngatërrimit të përsëritur të Trump-it mes Armenisë dhe Shqipërisë, kur fliste për armiqësinë e kahershme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Në një intervistë për Fox News muajin e kaluar, Trump pretendoi gabimisht: “Unë zgjidha luftëra që ishin të pazgjidhshme. Azerbajxhan dhe Shqipëri, kjo kishte vazhduar për shumë, shumë vite, i pata kryeministrat dhe presidentët në zyrën time.”
Ndërsa në një konferencë për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer, ai e shqiptoi gabim emrin e vendit të Kaukazit Jugor dhe i ngatërroi të dyja krejtësisht, duke thënë: “E zgjidhëm Aber-baizhanin dhe Shqipërinë.”
Shakaja e Ramës bëri që si Aliyev, ashtu edhe Macron të shpërthenin në të qeshura. Lideri francez, me shaka, tha: “Kërkoj ndjesë!”.
Ndërsa kryeministri shqiptar shtoi: “[Trump] punoi shumë fort!”.
Trump në fakt ndërmjetësoi një marrëveshje mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në gusht, ku si Aliyev ashtu edhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ranë dakord të përfundonin dekada të tëra luftimesh dhe të forconin lidhjet me Uashingtonin.
Por pretendimi i tij se ka përfunduar shtatë luftëra që nga kthimi në Zyrën Ovale duke vepruar si ndërmjetësues është i pavërtetë.
Trump ka pretenduar se ka përfunduar luftërat midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë.
Megjithëse mes këtyre vendeve ka tensione të kahershme, ato nuk kanë qenë në luftë të hapur vitet e fundit.
Gjithashtu, India e hodhi poshtë pretendimin e Shtëpisë së Bardhë se Trump kishte ndihmuar në uljen e tensioneve me Pakistanin në maj.
Për më tepër, një zyrtar i Hamas-it ka thënë se grupi militant ka nevojë për më shumë kohë për të studiuar planin 20-pikësh të presidentit amerikan për paqe në Gaza.
“Hamas po vazhdon konsultimet për planin e Trump-it… dhe i ka informuar ndërmjetësit se konsultimet janë duke vazhduar dhe kërkojnë kohë,” tha zyrtari në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për çështjen.
Trump të martën i dha Hamasit një ultimatum prej “tri ose katër ditësh” për të pranuar planin e tij për t’i dhënë fund luftës pothuajse dyvjeçare në territorin palestinez.
Plani parashikon një armëpushim, lirimin e pengjeve brenda 72 orësh, çarmatimin e Hamasit dhe një tërheqje graduale të Izraelit nga Gaza. Pas kësaj, do të pasohej nga një autoritet tranzitor paslufte i kryesuar nga vetë Trump. / Daily Mail
The post Daily Mail: Trump po e tallin jashtë Shteteve të Bashkuara! appeared first on Lapsi.al.
