Beqaj mohon akuzën për korrupsion: “S’isha funksionar i lartë” – SPAK: Vjedhje fondesh të BE-së

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur seanca paraprake me dyer të mbyllura ndaj Ilir Beqajt për vjedhjen e fondeve të BE-së kur ai drejtonte agjencinë SASPAK.

Në fjalën e tij,  Beqaj ka kundërshtuar akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë, për të cilën thotë se pozicioni i tij si drejtor i SASPAK nuk hyn në listën e funksionarëve të lartë.

Por nga raportimi i djeshëm i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve, Ilir Beqaj u shpreh se kuptoi përse e kanë kualifikuar veprën ndaj tij sikur ka qenë funksionar i lartë shtetëror.

Sipas Beqajt, cilësimi në këtë formë do t’i shërbente statistikave të SPAK-ut për hetimin e funksionarëve të lartë për vjedhjen e fondeve të BE-së.

SPAK e akuzon Ilir Beqajn se ka vjedhur fondet e BE-së kur drejtonte agjencinë e SASPAK. Krahas kësaj dosje, Ilir Beqaj akuzohet edhe për koncesionin e “Sterilizimit” në shëndetësi.

Pjesë nga fjala e Ilir Beqajt:

E nderuar Gjykatë,

Edhe pse kjo seancë zhvillohet me dyer të mbyllura dua të bëj deklaratën në vijim:

Në njoftimin e akuzës, 17 shkurt 2025 unë akuzohem edhe për veprën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë për veprime të kryera në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC.

Në 6 shtator 2023 procedimi penal 190/2023 është regjistruar për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarit publik. Më tej është bërë rikualifikim i veprës penale.

Në vendim e caktimit të masës në shkallën e parë të GJKKO në 6 korrik 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë.

Edhe në vendimin e apelit të GJKKO po për vlerësimin e masës së sigurisë me 7 gusht 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë.

Se kush funksionar i lartë sipas Kushtetutës dhe Kodi i Procedurës Penale, është shumë e qartë. Listë e subjekteve është shteruese. Më ka habitur shumë kjo lloj akuze. Kam pritur ballafaqimin gjyqësor. Por nga dje e kuptova. Më sqaroi drejtuesi i SPAK me çfarë raportoi në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit. Mesa duket SPAK i mungonte në statistika hetimi i funksionarëve të lartë që shpërdorojnë fonde të BE-së. Po ashtu kuptova edhe masën e sigurisë joproporcionale.

Janë disa vendime të Gjykatës së Posaçme që kanë rrëzuar SPAK lidhur me cilësimin e funksionarit të lartë. SPAK vijon me të vetën, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë fle gjumë.

The post Beqaj mohon akuzën për korrupsion: “S’isha funksionar i lartë” – SPAK: Vjedhje fondesh të BE-së appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: