Kronologjia/ Si ndodhi krimi në familje që tronditi Vlorën

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Vlora u trondit mbrëmjen e të shtunës nga një krim në familje, ku Bertil Alliaj, që ndodhej në kërkim dhe i dënuar me 35 vite burg për vrasje, qëlloi 6 herë djalin e xhaxhait të tij Dalan Alliaj duke i shkaktuar vdekjen. Autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes për tu arrestuar pas 5 orësh kërkime, ku rreth orës 01:05 të mëngjesit të të dielës, dronët e ngritura nga policia lokalizuan të riun mes një zonë malore në Gjormë të Vlorës.

Pas arrestimit, 32 vjeçari u pyet nga hetuesit, por ndonëse pretendoi një motiv të fortë nuk pranoi ta rrëfente.

‘E vrava për një arsye të fortë që s’mund ta them, pasi i kisha thënë disa herë që duhet të reagonte. Ndoshta në një moment tjetër do të flas për arsyen, por ende nuk jam gati’.

Krimi ndodhi në afërsi të banesës së viktimës, (fotot nga vendi I ngjarjes) teksa familjarët njoftuan autoritetet, për ta transportuar 36 vjeçarin drejt Spitalit të Vlorës, mjekët e të cilit konfirmuan vdekjen e tij.

Policia njoftoi se pas arrestimit gjatë kontrollit fizik Bertil Alliajt iu gjeta arma me të cilën dyshohet se kreu krimin, e llojit “Beratta FS92”së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Ndërsa në vendngjarje u sekuestruan 6 gëzhoja dhe një predhë. Familjarët dhe fqinjët flasin për viktimën dhe autorin që janë kushërinj të parë mes tyre. Për autorin thonë se që kur ishte shpallur në kërkim në 2015, nuk ishte parë në fshat, por nuk dinë se ciIi ka qenë konflikti mes të rinjve.

Bertil Alliaj ishte rikthyer në Gjormë 2 ditë më parë,dhe për tiu shmangur arrestimit nga policia përdorte një pasaportë të falsifikuar me identitetin e një shtetasi nga Kosova. Ai thirri mbrëmjen e të shtunës Dalan Alliaj, 36 vjeç babai i 2 fëmijëve për të sqaruar një bisedë, takim që përfundoi tragjikisht. rezulton si një nga personat më të kërkuar nga drejtësia për masakrën e Çolës në 2015, për të cilën ishte dënuar me 35 vite burg në mungesë. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë 3 të rinj, Akil Hasanaj, Ardi Velaj si dhe Albi Limaj.

Ngjarja ndodhi si pasojë e një sherri banal të nisur në një kazino të qytetit bregdetar ku Hasanaj dhe Velaj dhunuan në një lokal lojërash fati 21-vjeçarin Xhuliano Lutaj. Disa orë pas sherrit, shokët e këtij të fundit mes të cilëve Bertil Alliaj, kanë shkuar në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe janë hakmarrë. Nga ana tjetër, Dalan Alliaj, viktima e të shtunës në mbrëmje që u ekzekutua nga djali i xhaxhait të tij, rezulton administrator i kompanisë Allidagu në Fier, me aktivitet në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Familja Alliaj ka hapur dyert e mortit të dielën e 2 nëntorit, për ta përcjellë trupin e të ndjerit drejt banesës së fundit në orën 13:00.

The post Kronologjia/ Si ndodhi krimi në familje që tronditi Vlorën appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: