Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Raste pa fund dhe gola: Partizani e Vllaznia dalin të pakënaqura nga barazimi në “Arenën e Demave”
Dy skuadrat prodhuan spektakël dhe raste të shumta, por barazimi 1-1 i la të dyja larg fitores që kërkonin me ngulm.
Partizani dhe Vllaznia u ndanë në një barazim 1-1 në “Arenën e Demave”, në një ndeshje plot ritëm e emocione, sidomos në pjesën e dytë. Të kuqtë dominuan fraksionin e parë dhe kaluan të parët në avantazh me Romën. Pjesa e dytë nisi me vrull nga shkodranët, të cilët barazuan me golin e Malës.
Loja më pas u hap tërësisht, me raste për të dyja ekipet, ndërsa portieri Pohls u shfaq vendimtar në disa momente. Në fund, vërshëllima e arbitrit Cjapi gjeti të dy skuadrat të zhgënjyera, pasi nuk arritën të siguronin pikët e plota.
Nga një gol për secilën: Flamurtari dhe Tirana ngecin në barazim dhe komplikohet dueli i mbijetesës
Flamurtari kaloi e para në avantazh, Tirana reagoi në të dytën, por barazimi 1-1 i mban të dyja ekipet në presion në zonën e ftohtë.
Flamurtari dhe Tirana u ndanë 1-1 në javën e 12-të të Superiores, duke marrë vetëm nga një pikë në një duel me peshë të madhe për mbijetesën. Vlonjatët ishin më kërkues në pjesën e parë dhe gjetën golin me Maksutin në minutën e 37-të.
Në pjesën e dytë, bardheblutë reaguan dhe barazuan me brazilianin Zhunior. Edhe pse të dyja skuadrat tentuan të gjenin golin e fitores, rezultati mbeti i pandryshuar, duke i lënë Flamurtarin e Tiranën në pozitat 9 dhe 10 të renditjes, ende të rrezikuara.
The post Partizani-Vllaznia dhe Flamurtari-Tirana ndajnë pikët në dy duele plot tension appeared first on Lapsi.al.
